Pagesat me kartë bankare regjistruan rritje të fortë vitin e kaluar, duke arritur numrin dhe vlerën më të lartë historike. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 pagesat me kartë në terminalet POS arritën në 27.2 milionë, me një rritje prej 39% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 105.7 miliardë lekë, 27% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Gjithashtu, vitin e kaluar, për herë të parë numri i pagesave me kartë në terminale POS për herë parë kaloi numrin e tërheqjeve cash të parasë në bankomate.

Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur sidomos nga shtimi i numrit të turistëve të huaj. Kërkesa e tyre për të paguar me kartë ka shtyrë një numër më të madh biznesesh të pranojnë këtë formë pagesash.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej në 31 260 njësi, në rritje me 28% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.65 milionë, në rritje me 9% krahasuar me një vit më parë.