Ndërsa sot prezantohej buxheti i vitit 2022 për Ministrinë e Shëndetësisë, prezent ka qenë edhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij ai nuk i kurseu edhe batutat me mjekët, të cilëve u bëri me dije se ndërsa ai fliste për gjendjen e sistemit shëndetësor, po shahej nga ndjekësit e tij në “Facebook”.
Po ashtu Rama tha se edhe mjekët shahen në kolektiv madje, ndërsa shtoi se deri tani i rezulton që të sharat u bëhen shëndet.
“Se harroj kur ishim bashkë me rektorin dhe ministren, kur kemi hyrë në sallën e parë të operacioneve, kur u hap kirurgjia e re, shprehjen e profesor Besim Elezit, kurrë nuk e kam guxuar ta imagjinoj se do ndodhte të isha para kësaj pamje në të gjallin tim.
Ndërkohë që ju po më ndiqni mua, unë po shahem aty te ‘Facebook’-u. Se ju kur shaheni shaheni si kolektiv, ata, takove ata, rrit pagat e atyre hajdutëve, ata maskarenj, ata na rropën, ata na shkatërruan, pagat e atyre.
Po ajo që është e qartë është që i kemi ndarë punët edhe unë e ju e ata që na shajnë.
Deri tani më rezulton që të sharat na bëhen shëndet, më tutje duhet parë”, tha Rama.
Gjatë prezantimit të buxhetit të shëndetësisë, Rama njoftoi rritjen me 40% të rrogave për mjekët dhe infermierët duke nisur nga viti i ardhshëm.





