Minutë pas minute përkeqësohet situata në Katundin e Ri. Siç duket edhe nga pamjet filmike që na vijnë nga zonat e përmbytura, në banesa dhe biznese uji po rritet me shpejtësi të madhe.
Rrjedha e ujit të lumit Erzen i përngjet një përroi, që po depërton kudo dhe po rrit nivelin nga ora në orë.
Në zonë është dhënë urdhër për evakuimin e popullsisë dhe e njëjta situatë si në zonën e Katundit të Ri është edhe në Sukth.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonat e Sukthit dhe të Katundit të Ri në bashkinë e Durrësit për shkak të rrezikut për jetën e qytetarëve nga përmbytjet.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe Strukturat e Emergjencave Civile në bashki.





