Një rrjedhje gazi është raportuar të ketë ndodhur në një karburant pranë rrethrrotullimit të Shkozës.
Sipas uniformave blu bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:35 në rrugën “Sadik Petrela” ku është çarë një tub gazi i karburantit.
Shërbimet e Policisë kanë evakuuar banorët dhe për çështje sigurie kanë bllokuar përkohësisht rrugën e urës së Shkozës.
“Më datë 30.09.2023, rreth orës 11:35, në rrugën “Sadik Petrela”, në një karburant, është çarë një tub gazi i karburantit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të ambulancës dhe të zjarrfikëses, dhe teknikët të cilët po punojnë për rregullimin e defektit.
Shërbimet e Policisë kanë evakuuar banorët dhe për çështje sigurie është bllokuar përkohësisht rruga e urës së Shkozës dhe perimetri që ka rrezikshmëri”, tha policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.