4 qershor 2015 – 14 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe shfrytëzmin e prostitucionit janë arrestuar, ku mes tyre janë edhe 8 shqiptarë.
Operacioni që nisi mëngjesin e sotëm, i shtrirë në Itali, në qytetet Rimini, Foggia, Ravenna dhe Piacenza dhe në Shqipëri në qytetet Tiranë dhe Durrës, vuri në pranga 5 shtetas rumunë, 1 shtetas italian dhe 8 shtetas shqiptarë me inicialet: E.C.: A.H.: E.C.; K.J.; A.D.; E.SH.; E.V.; dhe G.D.
Të gjithë personat e arrestuar dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal të organizuar i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe shfrytëzmin e prostitucionit në zonën e Riminit.
Sektori për Trafikun e Paligjshëm në Drejtorinë për Narkotiket dhe Trafiqet, pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës kanë finalizuar me sukses operacionin “Balcania” duke bërë të mundur arrestimin e shtetasve Ergyst Çeka, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe Kujtim Jangozi, 40 vjeç, banues në Krujë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/