Gazetarët e emisionit investigativ Fiks Fare u sulmuan fizikisht më 8 shkurt teksa po filmonin gërmimet ilegale në lumin Zezë në Nikel, Fushë Krujë, rreth 30 km larg kryeqytetit në Shqipëri.
Droni i gazetarëve u qëllua me armë dhe tre burra me armë dolën përpara, duke i drejtuar armët grupit të xhirimit vetëm disa metra larg. Më pas një person i maskuar iu afrua atyre, duke u përpjekur të merrte kamerën me pamjet dhe duke sulmuar fizikisht grupin e xhirimit, duke kërcënuar edhe jetën e tyre për më shumë se 30 minuta. Ndonëse arritën të arratiseshin, kishin mbi 50 minuta që prisnin ndërhyrjen e patrullës së policisë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Begaj, dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive e dënoi sulmin, duke deklaruar se rrezikon lirinë e fjalës dhe sigurinë e gazetarëve. Policia e Shtetit konfirmoi më 9 shkurt se hetimet kanë nisur dhe se “materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme” – thuhet në njoftimin e saj zyrtar në lidhje me këtë sulm. Dy persona janë identifikuar si autorë dhe tashmë janë nën hetim, por ende nuk janë arrestuar. Ata janë përfshirë në kërkimin e Policisë.
Ky nuk është sulmi i parë ndaj gazetarëve të Fiks Fare. Në mars 2022, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt reagoi ndaj sulmit ndaj grupit të xhirimit në Sukth të Durrësit nga kompania Obital.
“Ky është një nga rastet më të rënda të sulmeve aktuale kundër gazetarëve dhe ekipeve mediatike në Shqipëri në vitet e fundit. Ky është një sulm nga kompani private dhe individë që tentojnë të mbulojnë veprimtari të paligjshme, duke paraqitur një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gazetarëve investigativë dhe ekipeve të tyre, që nga ana tjetër dekurajon punën investigative të gazetarëve në Shqipëri në të ardhmen”, theksoi Blerjana Bino, studiuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dënon ashpër ushtrimin e dhunës fizike që përfshinte përdorimin e armës së zjarrit për kërcënim si të papranueshme dhe një shkelje serioze të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias. Rrjeti kërkon një hetim të shpejtë, vënien e autorëve para drejtësisë dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit nga terreni.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 10.02.2023
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi