Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me numrin alarmues të rasteve të ngacmimeve seksuale në institucionet e arsimit, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës.
Në reagimin e RrGK-së thuhet se raportimi i ngacmimeve seksuale nga 27 studente të fakultetit të mjekësisë shkakton shqetësim të madh për sigurinë dhe integritetin e të gjithë studentëve.
“Kërkojmë nga Këshilli Etik që të trajtojë këtë çështje në mënyrë emergjente, duke respektuar rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe duke siguruar mbështetje të plotë për viktimat. Është e rëndësishme që autori i kësaj vepre të ndëshkohet për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe integritetin personal.
Po ashtu, bëjmë thirrje në drejtim të rektoratit të Universitetit të ndërmarrë masa të menjëhershme për zbardhjen e këtyre rasteve dhe për të krijuar mekanizma të besueshëm për raportimin e ngacmimeve seksuale. Universitetet duhet të jenë ambiente të sigurta dhe të mbështetjes për studentët, jo vende ku abuzimet tolerohen ose mbulohen”, thuhet tutje.
Rrjeti i Grave thekson se autorët e këtyre veprimeve janë pjesë e institucioneve publike dhe duhet të përballen me përgjegjësi për veprat e tyre, gjersa kërkuan shkarkimin e ngacmuesve seksual si dhe ndëshkimin e tyre sipas ligjit.
“Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë dhe të arsimit, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personit përgjegjës.
Ngacmimi seksual i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis.
Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”, thuhet më tej.
RrGK thotë se do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore.
“RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800”.