Pronari i një hoteli në Tiranë është vënë në pranga nga Policia e Tiranës dhe do të gjykohet si i pandehur pas hetimeve të kryera nga Prokuroria.

Përparim Xhelili akuzohet se ka përdorur hotelin e tij “Papi” për të shfrytëzuar vajza për prostitucion, marrëdhënie seksuale me klientët që vinin në hotel kundrejt pagesës. Xhelili rezulton të jetë i dënuar edhe më parë për të njëjtën akuzë në të njëjtin hotel. Hetimet kishin nisur më parë nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të një klienti të hotelit se i kishin vjedhur nga dhoma çantën me 3500 euro. Hetim i nisur për vjedhje që zbuloi një rrjet prostitucioni që gjatë gjykimit nxori fajtore gruan M.Dalti si personin që ndërmjetësonte me klientët për t’i ofruar atyre vajza që kryen “shërbime seksuale”. 

Hoteli ishte në pronësi të Përparim Xhelilit, por gjatë hetimit, ai u përjashtua nga përgjegjësia duke thënë se ja ka dhënë në përdorim shtetases M.Dalti. Por ndryshe u faktua në ecuri të gjykimit, ku rezultoi se Përparim Xhelili ishte në dijeni të veprimtarisë së paligjshme në hotel, por e mohoi para organit procedues. Në fakt, i dyshuari Xhelili organizonte punën në hotel, përfshirë edhe sigurimin e kushteve për prostituimin. Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e shtetasit Përparim Xhelili, i dyshuar për veprën penale “Mbajtje të lokaleve për prostitucion”

Si u zbulua rrjeti

Në gusht 2015, shtetasi E.L. dhe disa miqtë e tij kanë qëndruar në hotelin “Papi” në Tiranë, në dhoma të ndryshme. Në mëngjes, në dhomën e shtetasit E.L. është paraqitur shtetasja M.Dalti, e cila i ka sugjeruar të merrte një vajzë, e cila ushtronte prostitucion në atë hotel. Shtetasi D.L. nuk ka pranuar, por gjithësesi, sipas deklarimit të tij, shtetasja M.Dalti është paraqitur sërish në dhomën e tij, së bashku me dy vajza. Sërish, sipas deklarimit, shtetasi E.L. nuk ka pranuar “shërbimet seksuale” të vajzave. Pas kësaj bisede, ai ka konstatuar se në dhomë i mungonte çanta e dorës, në të cilën gjendeshin 3500 euro.

Ai menjëherë ka bërë kallëzim penal në Polici, e cila nisi veprimet proceduriale dhe referoi rastin në Prokurori.

Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ende nuk është identifikuar me prova të plota personi përgjegjës për vjedhjen e parave, por ndërkohë hetimet u zhvilluan edhe për faktin penal të ushtrimit të prostitucionit në atë hotel.

Në bazë të veprimeve proceduriale, në kuadër të hetimit për vjedhjen e parave, u arrestuan në flagrancë shtetasja M.Dalti, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”. Gjithashtu, u arrestua edhe shtetasi F. Gecaj, roje në hotel, për “moskallëzim krimi”.

Dy shtetasit e mësipërm janë dërguar për gjykim dhe më tej janë dënuar për veprat për të cilat akuzoheshin. Gjithashtu, është shpallur fajtore edhe shtetasja I.D., për veprën penale të “Prostitucionit”.