Rrjeti SafeJournalists ndan shqetësim të thellë mbi një artikull fyes dhe homofob, i cili ka në shënjestër gazetarin Isa Myzyraj dhe Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH). Ky sulm pason përpjekjet e përkushtuara të AGSH-së për të dokumentuar dhe rritur ndërgjegjësimin mbi ngjarjet që lidhen me pengimin nga policia të Focus Media Grupit dhe zhvillimet pasuese.

Një gjuhë e tillë dhe sulmet personale janë të papranueshme, veçanërisht kur drejtohen ndaj gazetarëve që po përmbushin detyrën e tyre profesionale për të mbrojtur lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Këto taktika jo vetëm që synojnë të diskreditojnë punën e tyre, por gjithashtu nxisin një klimë armiqësore ndaj ushtrimit të lirë të gazetarisë në Shqipëri.

Ne u bëjmë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit, Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe të gjitha institucioneve publike përkatëse që të hetojnë me urgjencë natyrën diskriminuese të këtij artikulli dhe të marrin masa konkrete, përfshirë një dënim të fortë publik të kësaj retorike, për të siguruar që gjuha e urrejtjes dhe sulmet personale të mos kenë vend në diskursin publik.

Ne shprehim solidaritet të plotë me Isa Myzyrajn, AGSH-në dhe të gjithë gazetarët e organizatat monitoruese në Shqipëri, të cilët punojnë nën presion dhe intimidim për të siguruar që publiku të ketë qasje në informacion të saktë, koherent dhe të pavarur.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 14 gusht 2025

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH-së
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikatë e Mediave të Malit të Zi