Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 e më pas pandemia e koronavirusit ka bërë që bizneset në qytetin e Durrësit të përballen me shumë sfida e vështirësi në një hark të shkurtër kohor.

Akoma pa u rimëkëmbur nga pasojat e tërmetit, biznesi u gjunjëzua për shkak të pezullimit të aktivitetit për disa javë më radhë, masë drastike kjo kundër përhapjes së Covid-19 në fillimet e pandemisë në vendin tonë.

Pavarësisht përpjekjeve të pronarëve për të kapërcyer krizën ekonomike, shumë prej tyre po prekin fundin e fatkeqësisht mendojnë të shpallin falimentimin.

Mungesa e një plani të mirëorganizuar nga qeveria për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe mungesa e blerësve, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e shumë aktiviteteve tregtare në qytetin bregdetar.

Në subjektet që tregtohen produkte ushqimore situata është e njëjtë si në qendër edhe në periferi, klientët nuk mungojnë (ndonëse tregtarët pohojnë se nuk janë si më parë), por pjesa më e madhe e tyre blen ushqime me listë.

“Nuk është puna siç ka qenë. Që kur ka filluar pandemia, janë shtuar njerëzit që blejnë me listë. 400 mijë lekë më ka njëra, 300 tjetra, nuk kam shpresë që do i marr lekët mbrapsh. Kam taksat që i paguaj, punoj sa për të mbajtur veten në këmbë”, shprehet një tregtare që shet prej vitesh fruta perime në ish-Kënetë.

“Rënie të punës ka pasur që nga koha e tërmetit e deri më sot. Nuk ka njerëz, s’ka kush blen. Çmimet rriten e njerëzit varfërohen. Blejnë me lista, nuk i lë dot pa bukë, sidomos ata që i njoh se të gjithë nuk kam si t’i ndihmoj. Produktet jetike, që janë edhe më të shiturat; si makaronat, mielli, vaji, orizi etj,., janë rritur çmimet.

Na penalizon edhe rruga e prishur, shumë vetë më thonë që nuk vijmë te marketi se na prishet makina për shkak të rrugës që është katastrofë. Taskat i paguaj, jam e rregullt me shtetin, ndërkohë që asnjë ndhmë s’kam marrë nga shteti, as nuk i bie mendja ku jam, s’ka ardhur njeri që të na shohë.”, shprehet tregtarja e një supermarketi në lagjen nr.14.

Buxheti i familjeve në Durrës është orientuar drejt ushqimeve, por nëse për këto të fundit janë të detyruar t’i nxjerrin “lekët nga toka”, qytetarët priren të mos shpenzojnë për të ndryshuar gardërobën apo për t’i shtuar asaj veshje të reja.

Teksa ecën në rrugë të ndryshme të Durrësit, të zë syri pankartat në shumë dyqane që njoftojnë uljet apo ofertat për të përthithur klientë, por pavarësisht kësaj shitjet janë të pakta.

“Puna ka rënë. Nuk e di si ia bëjnë shoqet e mia (dyqanet e tjera) por unë jam drejt falimentimit. S’ka punë”, shprehet një tregtare.

Të pasigurtë për të ardhmen e tyre për shkak të virusit vdekjeprurës, qytetarët stepen për të blerë rroba.

“Puna ka rënë. Këtu (në rrugën Tregtare) mungojnë njerëzit. As nuk kanë dëshirë të blejnë. Kemi bërë ulje, vijnë dhe thonë që edhe nëse blejmë nuk e dimë në e gëzojmë apo jo për shkak të Covid-it.”, pohon një tjetër tregtare.

“Një shitje kam bërë (ora 13 e 30). Bëjmë oferta, futen (në dyqan) shohin por prap…”, thotë një tjetër.

Souveniret janë ndër sektorët me të prekuar nga kriza pasi turistët mungojnë e duke mos qenë produkte të domosdoshme për përditshmërinë tonë apo që na mbrojnë nga Covid-19, në këtë periudhë njerëzit nuk e kanë mendjen të shpenzojnë për produkte tradicionale.

“Situata për ne është edhe më e vështirë sepse ne lidhemi direkt me turistët. Tani jemi në mbijetesë”, thotë tregtarja, e cila e pyetur nëse përgjatë kësaj kohe ka marrë ndonjë ndihmë nga shteti për të mbajtur biznesin e saj në këmbë përgjigjet:

“Zero ndihmë nga shteti, edhe pagën e luftës e kemi marrë pas 7 muajsh.”

“Shumë e vështirë situata. Ka pak kliente, sa për të jetuar. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, një 250 mijë leksh para shumë kohësh, po ku t’i gjejë shtetit lekët të na i japë ne.. Duke parë edhe botën jashtë, faleminderit që po mbijetojmë.”, shprehet një tjetër tregtare souvenirësh përgjatë Rrugës  Tregtare.

Teksa souveniret ende ia dalin të mbijetojnë, bizneset që shesin lule janë fare pranë mbylljes së aktivitetit të tyre. Kështu deklaron një zonjë e cila ka një dyqan në rrugën e spitalit.

“Kam hyrë borxh për të paguar taksat dhe qiranë e këtij muaji. Njerëzit nuk blejnë lule, jam në prag të mbylljes”, përfundon ajo.

Edhe pse Covid-19 ka prekur ekonominë e botës mbarë, fatkeqësisht, shqiptarët do të jenë ata që mund të vuajnë shenja të përhershme në të ardhurat e tyre të lëna nga kriza që po shkakton pandemia.

Njerëz të shumtë kanë humbur vendin e punës apo janë detyruar të ulin qepenin e biznesit, ndërkohë që parashikimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN, BERZH apo Banka Botërore janë të zymta.

G.D.