KAVAJË, 2 qershor 2013 – Është kthyer në deklarata të llojit “hidh e prit” mes Rroshit dhe Berishës qëndrimi mbi Monumentin e Demokracisë që ngrihet në qendër të qytetit të Kavajës. Pas kërcënimit të kryeministrit Sali Berisha, që askush të mos guxojë ta prekë monumentin simbol, gjatë mitingut në Kavajë, ka reaguar kryebashkiaku Elvis Rroshi, përmes një deklarate për shtyp,
“Meqë nga sheshi i demokracisë m’u drejtove mua personalisht, po të them se ti akuzat personale për kundërshtarët e tu politikë i ke zakon.
Si një deputet në ikje i qytetit të Kavajës, ti bllokove çdo investim për qytetarët, duke bllokuar projektet jo vetëm infrastrukturore, por edhe ato sociale. Prej më shumë se dy vitesh, qytetarët e Kavajës kanë ndjerë ndryshimin. 33 rrugë të reja janë shtruar në Kavajë falë punës, dashurisë, ndershmërisë dhe donacioneve të biznesit privat.
Qytetarët e Kavajës sot kanë më shumë përkujdesje sociale, më shumë menaxhim dhe frymëmarrje në qytetin që ti e mbylle në mënyrë të padrejtë. Shkollat, kopshtet, trotuaret, ndriçimi, mbjellja e pemëve, investimet për xhaminë e rrugën e Kishës, ujësjellësi, projekti i stadiumit, godina e Bashkisë së re që është duke përfunduar, janë projekte që kane marrë vlerësimin dhe vëmendjen e të gjithë qytetarëve.
Sigurisht doktor, si një njeri që në fillim duhet të kurosh veten e më pas të flasësh për të tjerët, të janë errur sytë ti shohësh gjithë këto ndryshime në qytetin që ti bllokove e bojkotove. Por qytetarët e Kavajës ta treguan këtë me votë në 8 majin e vitit 2011, dhe jam i bindur se do të ta tregojnë 10 herë me shumë në 23 qershor 2013 duke votuar deputetin dhe djalin e tyre të sigurt Parid Cara.
Ti kërcënove, zoti Berisha se do të bëje copash këdo që do të prekë të ashtuquajturin monument të dy gishtave, por askush nuk të ka më frikë dhe të garantoj se qytetarët e rrethit të Kavajës, do të bëjnë copash me votë ty që i ke bojkotuar për 23 vjet, në 23 qershor, duke votuar Partinë Socialiste dhe numrin 29 në fletën e votimit.”
Përtej notave të ashpra të kundërpërgjigjeve me karakter politik-elektoral në një fushatë të egërsuar, Rroshi i shpjegon kryeministrit se heqja e monumentit do të bëhet për t’i hapur rrugë një projekti të madh, prej afro 8 milionë eurosh ku ka një harmonizim të sheshit “Demokracia” me godinën e bashkisë, lulishtet, shatërvanët dhe xhaminë e qytetit.
“Sa për atë që e konsideron monument dhe për të cilin je tallur prej 23 vitesh, po të them se ai vetëm monument i dy gishtave nuk është. Projekti ynë do të sjellë një vepër akoma më të madhe e me të bukur, që hijeshon pamjen e qytetit, i jep vlerën e vërtetë dhe forcën e duhur zhvillimeve demokratike që nisen nga Kavaja që në vitin 1990 dhe që sigurisht, nuk mund të realizohet me ty kryeministër që ke mbetur akoma me mendësinë e shëtitjes në varkën e bllokmenëve.
Takimi yt i fundit me qytetarët e Kavajës do të jetë më 23 qershor dhe do të jetë me votë. Pastaj thjesht do të jesh një turist i qytetit të Kavajës dhe do të shohësh se sa do të jetë zhvilluar qyteti që nga momenti kur ti e ke lënë të lirë.”- mbyllet deklarata e kryebashkiakut socialist.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





