Gjykata e Lartë futet në kolaps total. 5 gjyqtarë të saj kanë dorëzuar mandatin dhe janë larguar përfundimisht. Që të pestëve u ka mbarur afati i ushtrimit të detyrës në këtë institucion, por ajo që e vesh me mister këtë gjykatë është se askush prej tyre nuk pranon që të qëndrojë deri në zëvendësimin me emra të tjerë. Edhe pse ligji u jep të drejtë që të presin pasardhësin, ata kanë dorëzuar mandatet.
Dje ishte Andi Çeliku që la detyrën, ndërkohë që u zyrtarizua dhe mbarimi i mandatit për 4 të tjerë. “Në zbatim të detyrimeve kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me datë 29.06.2017, thirri mbledhjen e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të cilën kërkoi deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit”, njoftoi Gjykata e Lartë.
Po sipas saj, kreu Xhezair Zaganjori, përmes një shkrese ka vënë në dijeni dhe Presidentin e Republikës, i cili është përgjegjës për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Ndërkohë, katër prej gjyqtarëve të sipërpërmendur i kanë paraqitur Kryetarit të Gjykatës së Lartë, përkatësisht në datat 28.07.2017 dhe 31.07.2017, në mënyrë individuale, një shkresë më anë të së cilës njoftojnë dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë për shkak të mbarimit të mandatit. Sot më datë 06.10.2017, me të njëjtat argumente Z. Andi Çeliku i paraqiti Kryetarit të Gjykatës së Lartë shkresën më anë të së cilës njofton dorëzimin e detyrës si anëtar i Gjykatës së Lartë. Lidhur me dorëzimin e detyrës nga ky gjyqtar, Kryetari i Gjykatës së Lartë, po sot, njoftoi edhe Presidentin e Republikës”, njoftoi gjykata.





