Kontaktet e shpeshta me protagonistë të botës së sportit, miqësia dhe shoqëria aktive me to, është ndihma e parë për të qëmtuar fakte të çasteve të fundit, madje edhe surpriza që kurrë nuk do t’i mendoje në se nuk i prek nga afër. Kështu na ndodhi para pak ditësh me mjeshtrin e famshëm të sportit, njërin prej themeluesve të atletikës durrsake Rifat Kazazin, por që mbarë opinioni sportiv e njeh me emrin Rrufi. Një burrë me trup të shëndetshëm, që edhe tani ruan konturet e një atleti të gjithëpushtetshëm për kohën e tij, ky Rruf Kazazi është kampioni i shahut në rajonin e Tirolit. I ndodhur në Bolzano për kurim në vitin 2010, atje ku është vendosur me të gjithë familjen i biri, Hysniu, Rrufi bie në kontakt me grupet shahistike të zonës. Hysni Kazazi, që është një manaxher i suksesshëm në hotelin Abler (Shqiponja) të qytetit Ortisei, tregon për të jatin që është një emër shumë i njohur në zonën e Tirolit, ku flitet kryesisht gjermanisht.
Këtu jeton një etni e gjerë austriake, duke u familjarizuar prej dekadash me popullsinë fqinje italiane. “Babai këtu është bërë si i shtëpisë, nget bisedën nëpërmjet linjës telefonike Hysniu. Luan shah në mënyrë të shkëlqyer, duke zotëruar një mjeshtri të lindur. Është regjistruar me ekipin e Ortiseut, kampione e zonës së Tirolit. Njerëzit e këtushëm bëjnë “kryq” për Rrufin, e duan shumë pasi edhe ai përshtatet me atë babaxhanllëkun e tij, me atë botën e gjerë fisnike, të një njeriu të civilizuar por shumë të qeshur dhe hokatar. Nga kënaqësia e një fitoreje spektakolare që bëri në një blitz 14 orësh, duke treguar gjendjen e shkëlqyer të demostrimit të lojës së shahut, bën një shëtitje në një të ftohtë -10 gradë. Pati një kontraktim të menjëhershëm, duke kaluar një situatë shumë të vështirë shëndetësore. Iu bllokuan dy arteriet kryesore që ushqejnë kokën me gjak dhe u detyruam ta shtrojmë urgjentisht në spital”. Por nuk është kjo kryesorja në këtë shkrim.
Ka pak kohë që Kazazi ynë është kthyer nga Italia, duke bërë një operacion delikat në të dy arteriet e qafës dhe ishim duke biseduar së bashku, kur është marrë në telefon nga trajneri i shahut të ekipit të klubit Ortisei. Ai i lutet të jetë të premten në Bolzano, pasi të shtunën ekipi i Ortisei ndeshet për kampionatin e zonës me ekipin e qytetit Bruniko. Rruf Kazazi ndër pesë shahistët përfaqësues të ekipit, luan në tavolinën e parë. Rruf Kazazi është nisur të enjten e 1 marsit në Bolzano dhe dje është ndeshur kundër ekipit të Brunikos. “Nuk mund t’ia prishja trajnerit austriak të Ortiseit, komenton Rrufi dhe prandaj vendosa të mos i lija “në baltë”. Më respektojnë jashtë mase. Kam në shtëpi mjaft gazeta që dalin në krahinën e Tirolit, që botohen në gjuhën gjermane dhe që shkruajnë për angazhimin Rifat Kazazit në shahun amator italian. Mosha 78-vjeçare më bën shahistin më të moshuar ndër pjesëmarrësit, duke përbërë një rekord më vete për shahun e këtij shteti të madh europian. Jam fitues i disa kampionateve blitz, ku luan çdo 10 minuta me shahistë të ndryshëm. Të gjitha fitoret shoqërohen edhe me stimuj materialë. Në një rast kam fituar edhe 1000 euro, aq sa nuk i përfiton kampioni ynë kombëtar. Po ti mos shkruaj gjë për këtë, sepse kush do ta lexoj do të thotë se “Rrufi ka qejf të mburret”. Të lutem mos ma prish. Dëshira ime është të bësh fjalë për mua për jetën sportive në atletikë, peripecitë e mëdha që kam kaluar. Këtu po, kam shumë për të të treguar”.
Ndahemi me mjeshtrin duke mos e prerë në besë se do të shkruanim për të, por natyrisht edhe duke i dhënë fjalën se ishim të gatshëm të përshkruajmë arritjet, por edhe dramën e tij sportive. Rifat Kazazi është profil i njohur i një atleti me rezultate të larta ndërkombëtare, por kurrsesi nuk kemi mundur të zbulojmë tek ai faktin që në moshën 15-vjeçare ishte kampion absolut i shahut për rininë durrsake. Edhe mjeshtri i njohur ndërkombëtar Fatos Muça, ngre lart aftësitë e lindura të Rrufit në shah. “Ai i rreh të gjithë në Durrës, flet tërë humor Fatos Muça. Nuk ka zot nane t’i dalë përpara. Edhe kur luanim në pallatin e sportit edhe tani në klube të njohura të shahut në Durrës, Rrufi është i papërballueshëm. Kjo është risi për ata që nuk e dinë, pasi Rruf Kazazi njihet në raport me opinionin vetëm si kampion i hedhjes së çekiçit dhe trajner i përgatitjes së fidanishtes së atletikës durrsake për kohën kur punoi”. Rifat Kazazi tani është në krahinën e Valgardenit, ku përfshihet zona e Tirolit dhe më gjerë. Është duke bërë vizita mjekësore, por edhe duke përfaqësuar ngjyrat e klubit italian, por të etnisë austriake të Ortiseit në shah. Dhe u ndamë me të me urimin: Dalsh faqebardhë Rruf Kazazi! Qenka e thënë të nderosh qytetin tënd të lindjes edhe në këtë moshë. Të faleminderit!