GOLEM, 8 maj 2013– Rrufe në qiell të pastër. Një shtëpi trekatëshe në Golem është djegur nga rënia e rrufesë, që është pasuar nga reshjet e shiut. Shkarkesa elektrike natyrore ka befasuar me forcën e saj në maj, ndërsa vonesa në mbërritjen e zjarrfikëseve ka nxjerrë në pah problematikën që paraqet infrastruktura rrugore në këtë zonë. Objekti i banimit që u godit nga rrufeja mbrëmjen e së mërkurës ndodhet në afërsi të stacionit të trenit dhe i përket shtetasit Hekuran Vrapi.

Drejtues të komunës Golem ngrenë shqetësimin e ndërhyrjes së vonuar të shërbimeve në ndihmë të popullatës për shkak të konceptimit të rrugës që kalonë përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe ka krijuar probleme serioze në lidhjen e Golemit të sipërm me atë të poshtëm. Zjarrfikëseve u duhet që të shkojnë deri te Mali i Robit që të mund të ndryshojnë kahun e lëvizjes dhe të futen në Golem – Qendër, ose të kalojnë përmes rrugës dytësore që lidh sektorin e Plepave me Golemin, po që krijon gjithashtu vonesa për shkak të gjendjes së saj.

Si pasojë e rrufesë së rënë në shtëpinë trekatëshe me çati është shkrumbuar kati i tretë dhe dëmtuar kati i dytë. Nuk ka pasur dëme në njerëz. Familjarët kanë dalë menjëherë nga banesa, sapo rrufeja që ka goditur shtëpinë është përfshirë nga flakët. Burime lokale bëjnë të ditur për agjencinë “Dyrrah” se për shkak të vonesave zjarri është fikuar pas afro dy orësh e gjysëm, ndërkohë që pritet të vlerësohet dëmi dhe familja të mund të dëmshpërblehet përmes fondit të fatkeqësive natyrore të buxhetit të shtetit.