Ditët e fundit të vitit që sapo u mbyll, në rrugën “Besëlidhja”, që nuk ka njohur asnjëherë asfalt, u shtruan tubacionet e kanalizimeve.
Përmbytja e 6 janarit i ka nxjerrë ato sipër tokës, ndërkohë që rruga është gati-gati e pakalueshme.


Megjithëse jemi në vitin 2026, kjo rrugë e lagjes nr.14 në Durrës, pranë rezervave të shtetit, është në gjendje komplet të degraduar. Balta dhe pellgjet me ujë janë bashkëshoqërues të banorëve.
“Tani e kanë bërë katastrofë më keq! Kanë dalë tubat lart atje, nuk kalon as robi, makinat jo e jo. Edhe në vendet aziatike nuk jetohet kështu!”
“Ka 33 vjet, që kur kemi ardhur këtu që nuk është vënë dorë. Zero! Siç e shini do ta rregulloj vetë me ekskavatorin tim. Me të rënë shi, këtu mbytet çdo gjë. Rruga është e pakalueshme prej tubave”.
“Një shi i vogël me ra mbushet komplet rruga.”
“Duhet të jetë rrugë e mirë këtu. Duhet të jetë një rrugë e sigurtë. Ne po jetojmë mbi ujë”,– thonë disa nga banorët për “DurrësLajm”.

Përmbytja e pak ditëve më parë u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme komunitetit të kësaj zone, që është mësuar të përmbytet sa herë regjistrohen reshje.

Grupet e verifikimit kanë parë nga afër situatën dhe banorët shpresojnë të dëmshpërblehen, pasi shumë nga orenditë shtëpiake u kanë dalë jashtë funksionit.
“Për të përballuar përmbytjet, çdo familje ka pompë zhytëse tek shtëpia, sepse këtu edhe në behar përmbytemi ne.”
“Tërë lagjja u dëmtua, me krevatë, divanë, dhoma gjumi. Të tëra u dëmtuan.”
“Komshinjtë erdhën në shtëpinë tonë atë natë, jemi ngjitur të gjithë në kat të dytë. Askush nuk na vinte në ndihmë”.

Rruga “Besëlidhja” ka një gjatësi prej rreth 300 metrash, por asfalt ajo nuk ka njohur asnjëherë, pavarësisht se aty jeton një komunitet i tërë, i vendosur 35 vitet e fundit në qytetin bregdetar. E gjithë rruga nuk ka kanalizime dhe çdo shtëpi funksionon me gropë septike.
M.B.





