Gjashtë javë për të përcaktuar ekipin kampion. Tre skuadra në garë për trofeun dhe shumë pikëpyetje drejt finishit. Gara për titullin në Kategorinë Superiore mbetet e hapur, me dilemat që nuk pritet të zgjidhen deri në fërshëllimën e fundit. Këtë e garanton edhe kalendari i tre skuadrave pretendente, Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut në ndeshjet e mbetura. Kryqëzime objektivash por edhe duele direkte, të cilat e bëjnë thuajse të pamundur që ndonjë ekip të cilësohet i favorizuar.Pas fitores me Tiranën, Kukësi do të luajë përballë Laçit, një tjetër skuadre që lufton për mbijetesë. Në javën e 32-të skuadra e Gjokës ka duelin direkt për titull me Partizanin në kryeqytet. Një ndeshje që do të vendosë shumë për synimet e veri-lindorëve, por ku me katër ndeshje të tjera për tu luajtur asgjë nuk do të quhet e përfunduar. Më pas Kukësi luan me Flamurtarin që kërkon mbijetesën, ndërsa e vetmja ndeshje e lehtë është ajo me Korabin. Një mundësi për të rimarrë energji përpara një tjetër finaleje për titullin, si ajo e javës së 35-të me Skënderbeun. Kuksianët e mbyllin sezonin me trasfertën në Gjirokastër, me shkallën e vështirësisë së kësaj ndeshje që mbetet për tu vendosur nëse ekipi i Milinkoviç do ta ketë siguruar vendin e katërt apo do të jetë ende në garë.
Aspak e lehtë edhe rruga e Partizanit, që luan të paktën tre finale deri në fund. Duke nisur nga kjo e premte, me derbin ndaj Tiranës. Një duel që duhet fituar me patjetër, për të synuar më pas shkëputjen nga Kukësi në krye të renditjes në duelin direkt të javës së 32-të.Edhe javët në vazhdim nuk janë të lehta dhe asgjë nuk është e garantuar, sepse skuadra e Starovës do të luajë me Laçin dhe Flamurtarin që luftojnë për mbijetesë, ndërsa ndeshja me Korabin do të shërbejë si mënyrë e mirë për të rikuperuar forcat dhe për të ngritur moralin përpara duelit final të 27 Majit në fushën e Skënderbeut.Disi më e ndryshme, por absoolutisht jo më e lehtë rruga që do të ketë Skënderbeu. Skuadra e Ilir Dajës do të luajë me skuadra që kanë objektiva të rëndësishëm: fillimisht me Luftëtarin dhe më pas me Vllazninë, dy skuadra që rivalizojnë për vendin e katërt në renditjen përfundimtare. Më pas vijnë sfidat në trasfertë me Teutën dhe në Korçë ndaj Tiranës, skuadra të cilat kërkojnë pikë mbijetese.
Fundi është nga ata që çdo futbollist do të dëshironte ta luante dhe që mban në ankth tifozët. Trasferta me Kukësin në javën e 35-të dhe finalja e sezonit në shtëpi me Partizanin. Dy sfida që do të vendosin shumë në garën drejt titullit. Të rikonfirmohesh në fron nuk është asnjëherë e thjeshtë, megjithatë për Skënderbeun kjo do të jetë padyshim mbyllja më emocionuese e kampionatit, pas gjashtë viteve dominim absolut.