Kryeministri Edi Rama, në hapjen e aksit të ri rrugor Thumanë-Kashar, autostradë e Kategorisë A të Bashkimit Europian, mes shumë projekteve të tjera, nuk la pa përmendur edhe Tunelin e Murrizit.

Rama tha se ky Tunel nuk është përfunduar ende për shkak të problemeve gjeologjike që janë hasur, ndërsa theksoi se Rruga e Arbrit do të jetë e aksesueshme pa pagesë.

“I kam shumë merak dibranët. Tuneli i Murrizit është fiksimi, por në luftë me gjeologjinë, prandaj i Llogarasë erdhi para për këtë shkak. Po ecim në Murriz, por nuk dua të vë afate, nuk duam të kemi befasira të gjeologjisë Nëse fuqia e zotërve të Dibrës do të na ndihmojmë do të kemi përfundimin e tunelit brenda vitit dhe të gjithë dibranët mund të mblidhen në sofrën e madhe dibrane për Vit të Ri. Rruga e Arbërit nuk do të jetë më pagesë”, tha kryeministri.

Aksi Thumanë- Kashar, segmenti i parë i Korridorit Blu, paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier, të cilat nisin nga puna për disa javë, ndërkohë që brenda pak javëve rihapet gara për segmentin Milot – Balldren.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin edhe ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali dhe ajo e Turizmit, Mirela Kumbaro.