Aksioni i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Durrës për lirimin e një hapësire publike, që do të përdoret si rrugë kalimi nga banorët e zonës është kthyer prej dy ditësh në “mollë sherri” mes dy familjeve Kapllani dhe Shaba në fshatin Romanat.

Familja Kapllani pretendon se IMT dhe bashkia Durrës po kërkojnë t’i zaptojnë pronën, e trashëguar prej shumë vitesh me të dy ndërhyrjet që kanë realizuar në muajin korrik 2024 dhe janar 2025 dhe për këtë arsye i është drejtuar gjykatës dhe SPAK-ut. 

“Kemi pronë autoktone, të trashëguar prej shumë brezash dhe të përfituar nga ligjet në fuqi. Në muajin qershor, bashkia Durrës dhe IMT erdhën pa lajmëruar duke hapur një rrugë të re, pa pasur një plan rregullues, pa pasur një buxhet të miratuar nga bashkia thjesht për të plotësuar interesat e disa individëve këtu të PS-së. Ne i kallëzuam në SPAK të gjithë. Pas asaj u ndërprenë punimet për disa kohë, pasi bëmë dhe denoncimin në media, pastaj si hakmarrje, dje, me fillimin e ditës së parë të punës për vitin 2025 kanë ardhur direkt këtu me fadroma, kanë bërë batërdinë në pronën tonë”,- thotë shtetasi Vladimir Kapllani.

Përmes dy shkresave zyrtare, IMT ka njoftuar familjen Kapllani për ndërhyrjet që do të kryente, me qëllim hapjen e rrugës për kalimin e banorëve të fshatit, pasi sipas inspektoriatit trualli nëpër të cilin do të kalojë aksi i ri është tokë shtet.

Rruga nëpër të cilën kanë kaluar për shumë vite banorët e këtij fshati pretendohet nga familja Shaba përmes një dokumenti hipotekor të vitit 2013.

“IMT ka thënë tokë shtet është kjo këtu, kurse kjo është tokë private, unë e kam të dhuruar nga nona dhe nga baba. Këto letra janë bërë në 2013-ën. Kemi bërë kërkesë si lagje që duam rrugën, ku e kalon ligji 7501.”,- shpjegon kryefamiljari Xheladin Shaba.

Ndërsa familja Kapllani flet për mbivendosje pronash në hipotekë.

“Familja Shaba ka regjistruar një certifikatë me regjistrim fillestar dhe sipas dosjes që unë disponoj është me letra të falsifikuara dhe krijon mbivendosje, sepse kanë regjistruar tokën e fshatit, të lagjes dhe e kanë kthyer në tokë bujqësore, gjithashtu kanë bërë dhe mbivendosje në tokën time”,- thotë Vladimir Kapllani.

Konflikti mes dy familjeve ka penalizuar prej kohësh banorët e tjerë të kësaj zone rurale, siç rrëfen edhe njëri prej tyre.

“Ne po kalojmë se kam shtëpinë atje poshtë. Këta zotërinjtë luajnë me ne, njëherë na çojnë sipër, njëherë na çojnë poshtë. Ky zotëria ka bërë shtëpinë këtu dhe thotë i kam unë letrat. Ai tjetri thotë i kam unë letrat, neve na bie të marrim helikopter që të kalojmë. Kam ardhur që në 1996 këtu dhe kam kaluar tek kjo rrugë që familja Shaba thotë se e ka pronë”.

Ndërhyrja e IMT-së në fshatin Romanat nisi ditën e hënë, gjatë të cilës u shoqëruan në komisariatin e policisë anëtarë të familjes Kapllani, që kundërshtuan aksionin në fjalë. Gjatë ditës së sotme, në terren ishin të pranishëm inspektorët e IMT-së vendore, efektivë të policisë së shtetit dhe asaj bashkiake, që mbikqyrnin nga afër hapjen e rrugës së re.

M.B.