Pas problematikës së ngritur nga “DurrësLajm” lidhur me rrezikshmërinë, që u kanoset automjeteve të drejtuara nga turistë të huaj ose vizitorë që nuk e njohin qytetin bregdetar, bashkia ka ndërhyrë në terren.


Paraditen e sotme, punonjës të saj kanë vendosur tabelën vertikale dhe kufizuesit për të ndaluar përsëritjen e të tjera aksidenteve të rrezikshme, në rrugën “Sotir Noka”, pranë amfiteatrit.


Dy ditë më parë, banorë të zonës dërguan pranë redaksisë sonë foto që dokumentonin raste të shpeshta, ku automjete të drejtuara nga turistë të huaj përfundonin tek shkallët, që rrethojnë amfiteatrin.
Pavarësisht se vetë banorët e zonës kishin vendosur dy tabela sinjalizuese përgjatë rrugës, rreziku nuk ishte shmangur dhe incidentet po përsëriteshin çdo natë.
Shumë makina turistësh, duke ndjekur itinerarin, që u rekomandonte GPS i makinës rrezikonin të përfundonin brenda në amfiteatër, apo në avllitë e shtëpive rreth e qark.
Dëmtimet që kanë pësuar shkallët e mermerit janë dëshmi e tentativave të drejtuesve të mjeteve për të shmangur një aksident më të rëndë.
Madje disa netë më parë, një automjet tip Range Rover ka arritur të ecë përgjatë shkallëve për të dalë në trotuarin përballë bashkisë së Durrësit.
M.B.





