5 nëntor 2015 – Disa janë arsyet pse segmenti i mbingarkuar i ndërtuar para 10 vjetësh që përshkon zonën e ish-Kënetës në Durrës, nga autostrada Durrës-Tiranë e deri te stadiumi, është pagëzuar me këtë emër. Këtu ndodhin aksidente çdo ditë, dhe në këtë segment është shënuar numri më i madh i aksidenteve me pasoja shumë të rënda, në raport me rrugët e tjera të qytetit. Aksidentet janë të zakonshme, ndërsa çdo 100 metra janë vendosur tufat e luleve dhe pllakatat përkujtimore nga familjarët e të aksidentuarve që kanë humbur jetën aty.

Shkaqet pse ky segment relativisht shumë i ri në Durrës ka marrë këtë “emër të zi” janë të shumta, por kryeson mungesa e sinjalistikës rrugore. Mungesa e saj ka sjellë edhe lëvizjen me shpejtësi shumë të lartë të mjeteve, ndërsa mungon qoftë edhe një mbikalim për njerëzit, të cilët janë të detyruar të ndërpresin rrugën e makinave.

Të gjithë qytetarët flasin për problemin e madh që i ka zënë, e për shqetësimin që mbajnë çdo ditë, përderisa janë të detyruar të hyjnë e të dalin nga banesat e tyre në aktivitetin e përditshëm.

“Në këtë rrugë as sinjalistika horizontale e vertikale, shenjat, vijat e bardha, nuk janë vendosur kurrë. Në asnjë kryqëzim nuk punon asnjë semafor. Makinat të marrin përpara. Katër gra, dy prej të cilave kanë vdekur vetëm në këtë kryqëzim këtu”, thotë një banor.

“Këtu po vdesin çdo ditë njerëz. Edhe dje makina e mori përpara një burrë me biçikletë. Makinat lëvizin me 120 km në orë. Duhet të lëvizin me 40, sepse është rrugë që në të dy krahët ka shumë hyrje-dalje. Por polici në këtë rrugë nuk duket, përveçse kur bëjnë aksion për të kërkuarit”, thotë një tjetër banor i zonës.

“Nuk dimë si të mbrojmë fëmijët. Jemi të detyruar t’i çojmë e t’i marrim nga shkolla edhe pse e fëmija im është në klasën e tetë. Kemi frikë se na i shtypin makinat. Këtu është si në luftë. Aq shumë njerëz kanë vdekur në rrugë, sa edhe luftë po të kishte, numri do të ishte më i ulët”, shprehet i indinjuar një tjetër banor. 

/K.H. portali DurresLajm/