Situatë dramatike me mbeturinat urbane në zonën e ish-Kënetës, më saktësisht në rrugën “Gjelbërimi”. Fotot dhe video që kanë mberritur në redaksinë e DurrësLajm janë realizuar mesditën e sotme. Si për ironi të fatit mban emrin “Gjelbërimi”, por rreth e qark nuk sheh gjë tjetër veçse prigje me mbetje. Gjendja bëhet edhe më e vështirë, pasi temperaturat e larta ndikojnë në dekompozimin më të shpejtë të tyre dhe përhapjen e erës së rëndë rreth e qark.

Banorët e zonës, sidomos ata të rrugëve “Azem Hajdari” dhe “Gjelbërimi” ankohen prej kohësh për ndotjen mjedisore, që thellohet më shumë edhe për shkak të kanalit të hapur i mbushur me mbetje urbane dhe ujëra të zeza. Me anë të letrave të shumta apo kërkesave për informacion, banorët, por edhe OJQ të ndryshme (fotot poshtë), është kërkuar disa herë pranë bashkisë Durrës mbyllja dhe rehabilitimi i kanalit, që është kthyer në vatër infeksioni.

Banorët disponojnë edhe një shkresë të datës 10 tetor 2019, me firmën e ish-kryebashkiakes Valboona Sako dhe ish-nënkryetares Etleva Kondi ku institucioni i qeverisjes vendore bën të ditur se po harton një projekt zbatimi për mbylljen e kanalit.

Korriku i vitit 2020 e gjen këtë zonë sërish me kanalin e hapur që përshkon gjithë lagjen dhe pirgjet me mbeturina. Ndërsa harxhohen miliona euro për projekte që përqendrohen në qendrën e Durrësit, periferia ka mbetur në gjendje të mjerë. Ministri Klosi bën apel nëpër Shqipëri për pastrimin e mbetjeve, ndërkohë që në lagjet periferike të Durrësit ato kanë pushtuar edhe rrugën. 

Ndërsa rekomandohet higjienë maksimale në kushtet e pandemisë Covid-19, dekompozimi i mbeturinave në një sipërfaqe mjaft të gjerë në rrugën “Gjelbërimi” është dëshmi se autoritetet ndryshe i hartojnë protokollet e sigurisë dhe ndryshe i zbatojnë ato në terren.