DURRES, 6 prill 2013- Nga “Mars 91”, ka mbetur vetëm një tabelë e dalë boje, në daljen nr.1 të portit të Durrësit, pranë një pike karburanti. Bëhet fjalë për rrugën e cila ka dy vjet që nuk ndërtohet, pavarësisht se shiriti i fillimit të punimeve është prerë në mars të 2011-ës. Në 2011-ën, por edhe në 2012- ën, fondet prej 100 milionë lekësh të akorduara nga Këshilli Bashkiak, janë djegur për fazën e parë të rrugës.
SITUATA
Prej vitit 2009, koha kur bashkia deklaroi nisjen e punimeve për lotin e parë të rrugës “Mars 91”, për asnjë ditë të vetme nuk nisën punimet, madje akoma edhe më keq vijoi situata, sepse bllokimi i punimeve solli edhe djegien e fondit prej 100 milionë lekësh, e ndërkohë privatët për çdo ditë e më tej zunë me ndërtime nga më të ndryshmet sipërfaqen ku u bë projekti për rrugën në Durrës. E gjithë sipërfaqja në pjesë të ndryshme është zaptuar dhe është rrethuar, ndërsa nuk mungojnë edhe ndërtimet nga privatët, të cilët, duke parë amullinë që shkaktuan debatet midis Bashkisë së Hekurudhës dhe portit, përfituan duke zaptuar sipërfaqen e rrugës, së cilës i ka mbetur vetëm emri “Mars 91”, në një tabelë pranë një karburanti. Projekti parashikon një rrugë 17 metra të gjerë, e cila nis nga ish- stacioni i vjetër i hekurudhës, vijon paralel me shinat e trenit, pranë terminalit të trageteve, dhe përfundon tek Ura e Dajlanit.
Kreu i bashkisë, Vangjush Dako, i pyetur nga "Gazeta SHqiptare", deklaron se moszbatimi i projektit të rrugës është për faj të bllokimit që sollën të djathtët. “Ne bëmë projektin dhe nisëm punimet, por Hekurudha dhe Porti nuk bashkëpunuan për të vijuar punimet. Madje projektin, të djathtët e hodhën poshtë disa herë, edhe KRRT-ja, e mandej e bllokuan procesin e tenderimit. Ata bënë gjithçka për ta bllokuar ndërtimin e rrugës”, – tha Dako. Për drejtorin e portit të Durrësit, Eduard Ndreu, ky projekt i rëndësishëm, është i pamundur të zbatohet në kushtet aktuale.





