Teuta dhe Kukësi do të zhvillojnë ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë ditën e martë në orën 13:00 në Kukës Arena. Durrsakët futen si favoritë absolutë për të kaluar në gjysmefinale pas fitores 2-0 në Niko Dovana dhe mund të tolerojnë edhe një humbje me 1 gol diferencë.

Gjithsesi, fokusi është maksimal pasi hapat fals nuk lejohen sidomos në Kupë që është një objektiv real i bregdetarëve. Suksesi në këtë kompeticion i garanton një biletë direkte në Kupet e Europës, një rrugë shumë më e shkurtër se ajo e kampionatit ku duhen edhe 11 ndeshje për të ndarë verdiktet e sezonit.

Nën drejtimin e trajnerit Martini skuadra ka zhvilluar paradite seancën e radhës stërvitore ku intensiteti është rritur. Grupi ka qenë i plotë dhe nuk priten mungesa.