Segmenti nacional që lidh Shijakun me Durrësin po shkon drejt degradimit të plotë. Aty ka shumë vite që nuk investohet.

Ky aks Shijak-Durrës përshkohet në të dyja korsitë e saj nga banesa dhe biznese, duke u konsideruar ndër rrugët me përqendrimin më të madh të zhvillimit ekonomik. Por krahas saj, ndër vite askush nuk është kujdesur për mirëmbajtjen apo rehabilitimin e rrugës.

Përveçse emërtimit, asgjë tjetër nuk ngjan me një rrugë nacionale. Jo më e gjate se 5 km, segmenti rrugor është lënë në harresë. Që prej ndërtimit të autostradës Tiranë-Durrës, rruga Durrës-Shijak duket se është anashkalur. Asfalti i hedhur dekada më parë po shkon drejt zhdukjes. Këtu prej vitesh askush nuk investon. Gropat jane aq të mëdha saqe makinat thuajse mund të fiken. Shmangia e dëmtimit te asfaltit në jo pak raste është bërë shkak për aksidente.

Ne këtë rrugë të rëndësishme jo vetëm per komunitetin e zonës, nuk ka ndriçim. Sinjalistika vertikale dhe horizontale mungon.  Sistemi i kanalizimeve anësore mbetet një tjeter problem. Dendësia e banesave dhe bizneseve pergjate segmentit, nxjerr në pak dhe nevojën për pastrim të përditshëm të mbetjeve që hidhen në rrugë.

Në këtë rrugë kjo gjendje vazhdon të mbetet e njëjtë për vite me radhë. Ndryshe nga privati, ku nga një tokë bujqësore ndër vite, e ktheu atë një ndër zonat me zhvillimin më të madh industrial dhe ekonomik, asnjë qeveri nuk ka investuar në infrastrukturë. /ABCnews