Rikualifikimi i shesheve përgjatë rrugës paralel me portin e Durrësit ka nisur prej pak ditësh nga ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit në Durrës.

Zona urbane në këtë pjesë të qytetit të Durrësit ka marrë zhvillim të lartë vitet e fundit me ndërtimet e reja që janë bërë e për pasojë domosdoshmëri ka lindur rikualifikimi i të gjithë hapësirës publike dhe kthimi i tyre në shërbim të komunitetit të të gjithë moshave.

Drejtori i ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në Durrës, Sokol Sula, deklaroi për mediat se puna ka nisur me punonjësit me mjetet e kësaj ndërmarrjeje, për pastrimin e hapësirave publike nga mbetjet urbane apo inerte të grumbullura aty në vite për të vijuar më pas me ndërtimin e lulishteve, vendosjen e stolave për të moshuarit dhe të këndeve të lodrave për fëmijët e vegjël.

Lirimi i hapësirave publike e kthimi i tyre në shërbim të komunitetit të banorëve është një sfidë për të gjithë në Durrës, pasi nga viti në vit qytetarët janë dëshmitarë se zhvillimi i sektorit të ndërtimit ka rritur popullsinë në Durrës e ka zvogëluar hapësirat kryesisht për të vegjlit. Sula thotë se në të gjithë territorin e bashkisë së Durrësit është duke u kthyer tradita e dikurshme e mbjelljes së pemëve lyerjes së trungjeve të tyre me gëlqere, larjes së rrugëve kryesore çdo mëngjes me ujë etj.

Gjatë vitit 2017 janë vendosur 300 kazanë të rinj në Durrës me kapakë për mbledhjen e mbeturinave urbane. Për drejtuesit e ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit të Durrësit është shumë e rëndësishme bashkëpunimi me qytetarët për të mbajtur pastër qytetin tonë bregdetar i cili mban peshën kryesore të turizmit në vend.

K.H.