Dega e Partisë së Lirisë në Durrës, ka denoncuar gjendjen e rrugës pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, që është mbuluar me plehra.

Krahas videos së shpërndarë në rrjetet sociale, PL Durrës shkruan se nuk dihet se kur kjo rrugë është pastruar për herë të fundit.

Ndërkohë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në reagimin e tij në “Facebook”, thotë se kjo gjë ndodh kur pushteti vendor është monist.

“Ja çfarë ndodh kur pushteti vendor është monist. Ky denoncim i Partisë të Lirisë në Durrës është filmuar sot kur dhe pak ditë na ndajnë nga rikthimi në auditoret e Universitetit të studentëve dhe pedagogëve”, shkruan Meta.

Statusi i plotë i PL Durrës:

Kjo është rruga pranë Universitetit ‘A. Moisiu’ mbushur me plehra…

Askush nuk mund ta tregojë se kur Bashkia ka pastruar për herë të fundit këtë territor.

Në Durrës mungojnë kazanët dhe nuk shihet asnjë nga punonjësit e Ndërmarjes së Pastrim Gjelbërimit!

Ky institucion në këtë qytet nuk ekziston!

Studentë nga e gjithë Shqipëria, në prag të nisjes së vitit të ri akademik, teksa bëjnë regjistrimin drejtë rrugës së dijes përballen çdo ditë me këtë pamje skandaloze!

Partia e Lirisë Durrës do të vazhdojë të denoncojë me forcë çdo problematikë të qytetit dhe neglizhencën e pushtetit vendor e qëndror ndaj taksapaguesve durrsakë!