Dako: Nuk kemi fonde, kërkojmë ndihmën e biznesit për pastrimin e saj
DURRËS, 26 prill 2013– Në çdo prag sezoni turistik, nga pushteti vendor si dhe ai qendror premtohet se do të bëhet një punë kolosale në drejtim të mirëmbajtjes, infrastrukturës, pastrimit dhe rregullimit të hapësirave publike, të cilat shfrytëzohen nga pushuesit. Por, kur na ndajnë vetëm pak javë nga fillimi i sezonit turistik, rruga që të çon në Currila të Durrësit qëndron e bllokuar. Prej më shumë se tre muajsh, njëri aks i kësaj rruge është mbuluar nga masivet e dherave, të cilat kanë rrëshqitur që nga fillimi i muajit shkurt, pas rrëshqitjeve në kodrën përballë Currilave, gjë që e bën të pamundur qarkullimin e automjeteve, duke krijuar kaos në trafik.
Problemi njihet edhe nga strukturat vendore, të cilat përgjatë muajve që lamë pas kanë ndërhyrë disa herë për largimin e dherave nga rruga, por rrëshqitja e tokës masivisht ka bërë që ndërhyrja të mos japë asnjë rezultat. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, deklaron se me ndihmën e biznesit, do të ndërhyhet për largimin e dherave nga rruga dhe pastrimin e zonës.
Sipas Dakos, bashkia nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për të ndërhyrë në këtë zonë, por pas ndihmës që pritet të japin biznesmenët durrsakë, të cilët u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së tyre, ky territor do të pastrohet nga dherat, duke u bërë i kalueshëm për automjetet. Me ndërprerjen e reshjeve të shiut janë ndërprerë edhe rrëshqitjet e tokës në këtë zonë, por zona e Currilave rrezikon të kthehet në një vend të braktisur për shkak të këtij fenomeni natyror.
Situata e krijuar në këtë rrugë është kthyer në një shqetësim jo vetëm për banorët e zonës por edhe për pushuesit, të cilët frekuentojnë plazhin e Currilave. Kjo, jo vetëm për shkak të bllokimit në qarkullim por edhe për shkak të pluhurit dhe ndotjes që krijohet. Situatë kjo e konstatuar vite më parë, pjesë e dhjetra ankesave të banorëve dhe gjithashtu i premtimeve të pushtetit vendor, nga të cilët nuk ka patur asnjë lëvizje konkrete për zgjidhjen e problemit, duke i bërë vendit shërbimin më të keq të mundshëm.
Mungesa e fondeve për të zbatuar projekte konkrete për parandalimin e rrëshqitjeve të tokës nga Kodra e Vilës në drejtim të Currilave, rrezikon të përsërisë sërish të njëjtin fenomen gjatë dimrit të ardhshëm.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





