Një tjetër rrugë moderne, me të gjithë parametrat e nevojshme, trotuare dhe ndriçim, i shtohet qytetit të Durrësit. Në sajë të një investimi të përbashkët mes Bashkisë Durrës dhe qeverisë u bë i mundur rikonstruksioni i plotë i rrugës, me një gjatësi prej 1.8 km.
Kryebashkiaku Vangjush Dako inspektoi punimet, të cilat janë drejt fundit, teksa u shpreh se ky investim i ka dhënë lagjes një pamje krejt tjetër, ndërkohë që do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në rrugën “Pavarësia”.
“Ka qenë një kanal i hapur me ujëra të zeza, ujëra të bardha. E kemi mbyllur, e kemi kthyer në një rrugë me trotuare. Është afro 1.8 kilometra rrugë, investim i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit. Është një rrugë paralele me rrugën “Pavarësia”. Bërja e kësaj rruge do të bëjë të mundur që aksesi kryesor i rrugës “Pavarësia” të zhvendoset në këtë rrugë. Kjo është një rrugë e cila i jep zhvillim jo vetëm zonës por gjithë plazhit të Durrësit dhe lehtëson trafikun në rrugën “Pavarësia””, u shpreh Dako.
Rruga në fjalë lidh Plazhin (zonën) me Durrësin. Nga ana tjetër lidh Shkozetin me Plazhin dhe kështu nëpërmjet kësaj rruge i është dhënë akses banorëve të Plazhit të kalojnë edhe në autostradë. Rruga ka një gjatësi prej afro 1.8 km, gjerësi 6 metra dhe trotuare nga të dyja anët, janë kryer të gjitha punimet nëntokësore si dhe do të ketë ndriçim. Rruga, e cila shtrihet nga baza e ish-Hekurudhës deri te stacioni “Iliria” do t’iu shërbejë afro 25 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.





