Nga Mila Ballhysa
Rivitalizim, por edhe amortizim e degradim. Është kjo ajo që po ndodh me godinat thuajse 100-vjeçare të Rrugës Tregtare, e njohur ndryshe si bulevardi “Epidamn”.
Investimet miliona lekë në shumë nga godinat e kësaj zone, të realizuara vitet e fundit, shoqërohen nga ana tjetër nga amortizimi i shumë të tjerave, që braktisja dhe tërmeti po i çojnë drejt rrënimit.
E njohur si lagjja me përqendrimin më të madh të familjeve të vjetra durrsake, në fillim shekullin e kaluar, Rruga Tregtare nisi të marrë formën që ruan ende sot në vitet 20-30 të shekullit XX, fill pas tërmetit të vitit 1926, që shembi shumë nga godinat një apo dy katëshe që ngriheshin aty.
“Ndërhyrja e realizuar në ato vite bëri rikuperimin e pjesshëm të objekteve ekzistuese, të cilat ruajnë strukturën e vjetër të qytetit, ndërsa në pjesën e fasadave ka ndërhyrje modernizuese. Rruga fillon në zonën e ish-Konakut, në pjesën e portit, ku ka qenë edhe sheshi i vjetër i qytetit, dhe përfundon në portën hyrëse të Durrësit, në portën veriore”,– thotë arkitekti Indrit Hamiti.
Një njohës mjaft i mirë i historisë së zhvillimit të kësaj rruge, godinave dhe familjeve durrsake që i popullonin këto vila, Hamiti ka vënë vulën e tij në rikuperimin dhe restaurimin e disa prej tyre.
Investimet e realizuara në disa prej godinave, i kanë kthyer shumë prej tyre në hotele qyteti, ku tek-tuk është ndryshuar edhe funksioni fillestar, ndërkohë që një nga ndërhyrjet më të realizuara është ajo për rikuperimin e kishës Shën Luçia, restaurimi i së cilës u krye me ndihmën e një fondacioni gjerman gjatë kohës kur Dom Gjergj Meta shërbente në të.
“Jemi munduar maksimalisht që të evokojmë elementët identifikues të kishës, në ato pjesë që ishin të rikuperueshme. Në pjesët që janë të dëmtuara tërësisht si këmbanorja psh. kemi bërë një punë kërkimore, kemi bërë gërmimin, kemi nxjerrë strukturat e nëndheshme në dukje. Ndërhyrjen nuk e kemi bërë sepse kërkon një punë shumë më të financuar, shumë më të gjatë e humultuese”,- thotë arkitekti Hamiti.
Amortizimi dhe degradimi i godinave
E ngritur mbi zonën arkeologjike A, Rruga Tregtare mendohet se fsheh në nëntokën e saj sitet arkeologjike e historike të Dyrrahut dhe Epidamnit antik. Fakti që në zonën A nuk lejohen ndërtime mbi 6 kate e ka ruajtur deri diku këtë zonë, megjithëse dhe aty nuk mungojnë rastet kur krahas shtëpive një katëshe ngre krye një pallat shumëkatësh.
Armiku më kërcënues për të gjithë këtë zonë që në të ardhmen e afërt pritet të kthehet në Parkun Arkeologjik të Durrësit është efekti kohë dhe braktisja e godinave. Përveç ndërhyrjes në fasada, e realizuar nga bashkia Durrës disa vite më parë, në zonë nuk ka asnjë ndërhyrje shtetërore. Në rrugicat e lagjes, kalldrëmi kryqëzohet me asfaltin, që në shumë vende ka degraduar, duke dëshmuar kështu se dhe ndërhyrjet e realizuara në infrastrukturë nuk kanë ruajtur uniformitetin, por sipas investimit (të vogël apo të madh) është realizuar rikonstruksioni i rrugicave ndër vite.
Ajo që tërheq vëmendjen e kujdo, ndërsa përshkon rrugicat e kësaj lagjeje është bashkëjetesa e godinave të amortizuara me ato të rikuperuara e restauruara. Këtë simbiozë të çuditshme shpesh e ndan vetëm një mur apo një rrugicë e ngushtë…
Një dëshmi mjaft e qartë e kësaj është shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, e njohur ndryshe dhe si Muzeu Etnografik i qytetit. Përballë shtëpisë me çardak, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX, apo anash saj ndodhen disa godina 3 katëshe, të cilat po shkojnë drejt amortizimit.
Të shtetëzuara gjatë viteve të regjimit komunist, ato iu rikthyen ish-pronarëve vetëm në vitet 2012-2013. Në pamundësi të një investimi të përbashkët apo shitjes së godinës, ish-pronarët i kanë braktisur ato. Arkitekt Hamiti e shpjegon degradimin e disa godinave dhe mirëmbajtjen e disa të tjerave me funksionin e tyre dhe rolin që kanë luajtur përgjatë viteve.
“Ish-shtëpia e Aleksandër Moisiut është administruar nga shteti dhe ka qenë gjithnjë e mbrojtur është objekt i mirëmbajtur, i rikuperuar. Pra është përdorimi që ka sjellë këtë lloj administrimi të ndryshëm të objekteve”,- thotë ai.
Mungesa e statusit “Monument Kulture”
Vetëm ish-shtëpia e Aleksandër Moisiut dhe ajo ku për një vit ka jetuar ish-kryeministri shqiptar Fan Stilian Noli, mbajnë statusin “Monument kulture” i kategorisë së dytë, përgjatë Rrugës Tregtare.
Ndërsa nëntokës në këtë hapësirë i është kushtuar një rëndësi më e madhe me site të ndryshme arkeologjike të ruajtura nga shteti si Monumente Kulture të kategorisë së parë, e kundërta ka ndodhur me historinë e vonë të Durrësit. Megjithëse vilat dhe godinat e Rrugës Tregtare mbartin elementë me rëndësi historike, arkitekturore dhe urbanistike për historinë e rreth 150 viteve të fundit të zhvillimit të Durrësit, asnjëra prej tyre nuk ruhet nga shteti. Kjo, për pasojë, krijon mundësi për ndërhyrje në fasadë apo në kate, duke i modifikuar sipas gustove personale, por pa ruajtur elementët historikë.
“Fakti që këtu ka transformim të fasadave në mënyrë sporadike, duke i ndryshuar karakterin, duke implementuar një karakter që nuk ka lidhje organike me periudhën e ndërtimit të objekteve të tjera në bulevard është tregues i nivelit të ulët të ruajtjes dhe kjo krijon mundësi për modifikime”,- thotë arkitekt Indrit Hamiti.
Shtesat e kateve dhe ndërhyrjet e pastudiuara në fasada janë mjaft të dukshme vitet e fundit. Për të parandaluar transformimin e mëtejshëm të gjurmëve historike që mbart e gjithë kjo zonë nevojitet një status i veçantë për këtë “ansambël” që ndërthur në nëntokën dhe mbitokën e tij historinë mijëra vjeçare të Durrësit antik dhe qytetit të kohëve moderne. /CITIZENS CHANNEL