Ka një gjatësi rreth 200 metra, por infrastruktura e saj bën dallim nga të gjitha rrugët dytësore të këtij blloku banimi në lagjen nr.18, në Durrës.

Në aksin “Vaso Pasha”, gropat gjigande të krijuara në asfalt krijojnë problematika të shumta për lëvizshmërinë e kalimtarëve dhe të drejtuesve të mjeteve.

Në kohë me reshje, situata është edhe më e rënduar dhe çizmet janë e vetmja zgjidhje!

Banorët shprehen të revoltuar për mungesën e ndërhyrjes për riparimin e këtij aksi.

“Pisat, bënë gjithë atë kënd sportiv atje dhe lanë pak rrugë këtu, siç e shikoni. Nuk ka turp më të madh”.

“Me makinat mezi futemi. Shumë e keqe është rruga. Populli rri, asnjë nuk flet dhe nuk vë dorë njeri. Shihni si është atje lart, nuk kalohet fare”.

“Nuk kalohet këtu. Ka gati një vit kështu, është bërë rruga copë-copë. Bashkia e ka kënaq t’u punu. Janë gjithë gropa rrugët, s’kemi ku kalojmë. Bashkia rri t’u flejt gjumë!”.

“Është problem shumë i madh. Makinat nuk kalojnë. Gratë me karroca me fëmijë nuk kalojnë dot.”– thonë banorët për “DurrësLajm”.

Drejtuesit e mjeteve duket të bëjnë manovra të shumta për të evituar dëmtimin e makinave nga gropat e stërmëdha.

Qytetarët kërkojnë nga pushteti vendor, riparimin e këtij aksi, sepse janë tatimpagues të rregullt dhe kërkojnë që taksat e tyre të përkthehen në shërbime nga bashkia.

“Bashkia të vijë të vërë dorë. Kaq kemi apel ne! Taksat i paguajmë.”

“Të rregullojnë rrugët! Më e thjeshta…”– thonë ata.

M.B.