Rruga “Vath Turja” në Durrës, e cila të çon drejt Sektorit Rinia, ka një infrastrukturë mjaft të degraduar.
Asfalti është i dëmtuar rëndë dhe vetëm në disa pjesë kanë mbetur fragmente nga shtrimi i parë, ndërsa pjesa më e madhe e saj është e mbushur me gropa të mëdha.
Sipas banorëve të zonës, kalimi i automjeteve është bërë tepër i vështirë dhe shpesh rrezikohen dëmtime serioze të makinave dhe mund të bëhet shkak për burim aksidenti.
Pamjet e dërguara nga një banor i zonës tregojnë qartë problematikën dhe gjendjen e amortizuar të rrugës, ku prej kohësh nuk është kryer asnjë ndërhyrje.
Për degradimin e infrastrukturës rrugore të këtij aksi, komuniteti i banorëve dhe subjektet private që ushtrojnë aktivitetin përgjatë këtij segmenti organizuan një protestë rreth dy muaj më parë.
“DurrësLajm” u interesua pranë bashkisë për të mësuar nëse këtë vit është planifikuar rikonstruksioni i këtij aksi.
Në përgjigjen zyrtare na u komunikua se për aksin në fjalë do të kryhet një studim i hollësishëm që përfshin infrastrukturën rrugore dhe sistemin e kanalizimeve dhe më pas do të procedohet me projektin e saj.
Ndërhyrjet e mëparshme nuk kanë qenë të suksesshme, sepse infrastruktura është dëmtuar sërish brenda një kohe të shkurtër. Për këtë arsye rehabilitimi i radhës, që pritet të kryhet brenda këtij viti apo vitin 2027 synon të zgjidhë një herë e mirë problematikën e këtij aksi dhe t’i garantojë komunitetit të zonës dhe subjekteve private një infrastrukturë rrugore brenda standarteve bashkëkohore.
LEXO EDHE:





