Jetëgjatësia e tij qe mjaft e shkurtër, vetëm disa ditë!

Një investim në infrastrukturë, i përfunduar një ditë para vitit të ri në lagjen nr. 8 të Durrësit arriti të thyente çdo rekord rezistence, pasi u shkërmoq që në shiun e parë.

Ende pa bërë një javë nga asfaltimi, reshjet e dendura të së martës nxorrën në pah cilësinë e punimeve, pasi e shndërruan rrugën e “rehabilituar” në një shembull se si investimet publike i merr uji.

Ndërhyrja e realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në fund të dhjetorit 2025 dështoi me sukses.

Shtresa e hollë asfaltike u dëmtua menjëherë, duke dëshmuar sesi shpërdorohen paratë e tatimpaguesve durrsakë.

Bashkia Durrës, përmes burimeve zyrtare, konfirmoi për “DurrësLajm” se ka njoftuar me shkresë zyrtare Fondin Shqiptar të Zhvillimit për situatën dhe ka kërkuar riparimin e rrugës.

Mbetet për t’u parë nëse rikonstruksioni i radhës do t’i rezistojë një tjetër shiu…