Durrësi është një nga qytetet, që vuan më shumë mungesën e parkimeve.

Për të zgjidhur këtë problematikë, që vijon prej vitesh, bashkia Durrës ka propozuar miratimin e zonave të administrimit të parkimit, të cilat do të jenë zona A & B, në të cilat parkimi i automjeteve në rrugë do të bëhet kundrejt pagesës, në varësi të periudhës së qëndrimit.

“Tarifat e propozuara për parkimin në rrugë me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora“,– bazuar në relacionin që bashkia Durrës u ka dërguar këshilltarëve bashkiakë, të cilët ditën e martë pritet të miratojnë propozimin e institucionit të qeverisjes vendore. 

Zona A: Përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale.

Rrugët e destinuara për parkim me pagesë që përfshihën në zonën A, janë:

  1. Rruga “Taulantia”
  2. Rruga e “Currilave”
  3. Bulevardi “Epidamn”
  4. Bulevardi “Dyrrah”
  5. Rruga “Egnatia”
  6. Rruga “Mars 91”
  7. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
  8. Rruga e “Dëshmorëve”
  9. Rruga “Adria”
  10. Rruga “Pavarsia”
  11. Rruga “Hafiz Ali Pogdorica”

Zona B: Përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.

Rrugët e destinuara për parkim me pagesë që do të përfshihën në zonën B janë:

  1. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
  2. Rruga “Mujo Ulqinaku”
  3. Rruga “Stefan Kaculini” 
  4. Rruga “Glaukia”
  5. Rruga “Hysen Kërtusha”

Pagesat për parkim duhet të aplikohen në fashën orare si më poshtë:

  • Gjatë periudhës nga data 1 qershor deri 30 shtator ora: 08.00-20.00, e hënë – e djelë
  • Gjate periudhës nga data 1 tetor deri 31 maj ora: 08.00-16.00, e hënë – e premte
  • Jashtë fashës së orarit/ditëve të sipërcituara parkimi në rrugët e zonës A dhe B do të jetë pa pagesë përfshirë dhe rezidentët.

Parkimi publik në sheshe me pagesë

“Me ndryshimet që kanë ndodhur në territorin e bashkisë Durrës për shkak të investimeve publike të realizuara nga ana e bashkisë Durrës dhe nga institucione të tjera shtetërore, propozojmë që sheshet e destinuara për parkim me pagesë të jenë si më poshtë, sipas planvendosjes bashkëlidhur”,- shkruan bashkia në relacionin e përgatitur për këshilltarët bashkiakë.

Sheshet ku parkimi do të bëhet me pagesë:

  1. Sheshi prane Bar Portofino.
  2. Sheshet në rrugën “Mars 91” Durrës (dy sheshe).
  3. Sheshi ndodhur poshtë Urës së Dajlanit.
  4. Sheshi “Jorgji Ziu” tek Mauzoleumi i Dëshmorëve.
  5. Sheshi në territorin e brendshëm të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
  6. Sheshi pranë tregut industrial, në rrugën “Hysen Myshketa”
  7. Sheshi Vollga pranë Autoritetit Portual Durrës.

Tarifa e parkimit në këto sheshe publike do të jetë sipas përcaktimeve në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr.194 datë 22.12.2023 Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit për vitin 2024”.

M.B.