Prej rreth 2 muajsh është e bllokuar në shtëpi dhe e ka të pamundur të shkojë për një vizitë mjekësore. Vera Peto është prej vitesh në karrike me rrota, por gjendja e degraduar e rrugës ia pamundëson daljen nga banesa.

Për bashkëshortin e Verës, shqetësimi kryesor mbetet pikërisht rruga e pa asfaltuar dhe pa kanalizime.

Si rruga “Konstandin Simaku” ka shumë akse të tjera dytësore në zonën e ish-Kënetës. E njëjta situatë paraqitet edhe në rrugën “Zef Serembe”.

Mungesa e infrastrukturës rrugore është për banorët shkaktari kryesor i përmbytjeve, që janë të shpeshta në këtë zonë.

Në buxhetin e këtij viti, bashkia ka planifikuar një fond 165 milionë lekë për rehabilitimin e rrugëve dytësore në zonën e Durrësit të ri, siç edhe deklaroi kryetarja e bashkisë gjatë prezantimit në Këshill Bashkiak.

“DurrësLajm” mëson nga burime zyrtare nga bashkia se rehabilitimi do të prekë dy blloqe banimi në ish-Kënetë, të kufizuara nga rrugët “Sulejman Pitarka”, “Bisht Kamza” dhe “Tasim Këlliçi”.

M.B.