Nëse plagosja që ndodhi mëngjesin e sotëm në lagjen nr.11 në Durrës do të kishte pasoja më të rënda, atëherë ajo mund të përfundonte në një tragjedi, pasi ambulanca nuk do të mbërrinte dot në kohë.

Në videon e mëposhtme duket qartë automjeti i ambulancës që mezi kalon përmes pengesave dhe rrugës së ngushtë të një ndër lagjeve më të populluara të Durrësit.

Sikur të mos mjaftonte hapësira e ngushtë që është lënë për rrugën nga ndërtuesit e pallateve, apo banesave individuale, kabllot e energjisë elektrike janë të varur duke e shtuar akoma më shumë vështirësinë e qarkullimit të automjeteve të emergjencës. Ndërkohë, shtylla elektrike që qendron e mënjanuar anës rrugës duket që është një problem akoma më serioz.

Në rast të rënies së një zjarri, mjetet e zjarrfikëses do ta kishin të pamundur të mbërrinin deri tek pallati në fjalë apo banesat private aty përreth.