Deri pak kohë më parë askush nuk e mbante mend Doktor Mavromatin, emrin e të cilit mori rruga me piktura pranë amfiteatrit të Durrësit. Rruga “Doktor Mavromati” të çon tek Amfiteatri i Durrësit, i cili është ndërtuar në fillim të shek. II-rë të erës sonë.
Ndërtesat përgjatë kësaj rruge janë të stilit italian, por fasada dhe muret rrethues, me kalimin e kohës ishin lënë pas dore. Arkitektura e rrallë e vilave nuk nxiste më vizitorë për të shijuar atë që u ofrohej apo të bënin një fotografi për të memorizuar një kujtim.
Qytetarët e Durrësit e rikthyen vëmendjen te kjo rrugicë që ishte rrënuar nga koha. Të rinjtë, turistët por edhe ata që vizitojnë qytetin bregdetar kalojnë enkas këtu për të shkrepur një selfie si kujtim, pasi pikturat murale tërheqin vëmendjen e të gjithëve.
Por dimri i 2017 e vera e nxehtë kanë lënë gjurmë tek pikturat murale. Ato kanë filluar të dëmtohen dhe pas pak kohësh nuk do të jenë më tw pranishme në këtë rrugë. Në shumë vende suvaja ka nisur të bjerë, ndërsa në piktura të tjera dora e keqbërësve shihet qartë, jo vetëm me dëmtime, por edhe me shkarravina të bëra në to. Mbrojtja e këtyre pikturave murale dhe restaurimi i tyre kërkon një sasi parash më të vogël sot, sesa nesër kur të jenë dëmtuar plotësisht dhe të mos jenë më.
K.H.





