Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit në polici, ka shkaktuar debate në komisionin e ligjeve, ku sot ishte parashikuar seancë dëgjimore me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS në datë 8 shtator 2022, dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare dhe pezullimin e shërbimeve online në muajin korrik 2022.

Xhaferaj: Komisioni ka kërkuar ministrin e Brendshëm për situatën e rëndë të rendit në shtator, ku policia nuk mbronte dot jetën e qytetarëve. Sot situata ka degraduar shumë më rëndë, kemi një polici që i merr jetën qytetarit. Dhe është e turpshme për ne, të nisim këtë seancë për sulmet kibernetike, pa i kërkuar më parë drejtorit të policisë të japë shpjegime. Komiteti i Helsinkit ka thënë se policia ka shkelur kushtetutën.

Qefalia: Ajo që ka ndodhur është tepër e rëndë, për të cilën po merren organet kompetente. Pse jeni kthyer që me zor prisni të ndodhin ngjarje.

Rrumbullaku: Për ruajtjen e dinjitetit, sot kam ardhur me axhendë të përcaktuar nga komisioni. Nuk jam përgjigjur më parë për shkak se kam qenë me një angazhim në SHBA. Për sa kërkohet nga grupi i deputetëve për çështje që lidhen me ngjarjen  e fundit, të të ndjerit, jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve dhe të jap shpjegime në lidhje me sa kërkohet nga ana juaj. Edhe për çështjen e të ndjerit Rasha, duke qenë në detyrën e kreut të AMP-së. Do t’iu lutesha që, jo çdo gjë që shpërndahet mediatikisht për opinionin nuk do të thotë se janë të vërtetat reale të hetimeve që kryejnë intitucionet e drejtësisë.