Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbajtur një fjalim ditën e sotme në nder të policit të rënë “Shqiponjave” të Fierit, Novruz Cenalia.
Teksa merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të efektivit, i cili u vra nga 23-vjeçari Azgan Mërnica ai u zotua para familjes së Cenalisë për kapjen e autorit të kësaj ngjarje.
Gjatë fjalës së tij, Rrumbullaku theksoi se kushdo që do të cënojë uniformën e policit do të përballet me ligjin.
“Familja e madhe e Policisë së shtetit përcjell sot kolegun Cenalia. Fjalët janë të vështira për këtë dhimbje të policit të ri, jeta e të cilit u pre në mes në lule të rinisë. Ai ishte një nga njerëzit më korrektë dhe punëtorë të policisë, i rritur në një familje ku uniforma e policisë ishte 20 vjet e pranishme.
Zotohemi se Policia e Shtetit do të punojë për kapjen e autorit dhe se kushdo që cënon uniformën e policit do të përballet ashpër me ligjin. Zotohem para familjes se do ta vendosim para ligjit autorin e krimit.
Si Drejtor i Përgjithshëm garantoj se organizata jonë do të jetë pranë jush. Besoni te Policia e shtetit dhe në emër të policisë garantoj se do të lartësohet figura e Novruz Cenalisë”, tha ai.