16 nëntor 2015 – Kuponët tatimorë jo vetëm që duhet t’i tërhiqni gjatë çdo blerjeje, por nëse i ruani mund të bëheni fitues i një shume parash.
Kushdo që grumbullon të paktën 50 kuponë tatimorë për periudhën nëntor-dhjetor 2015 ka mundësi të bëhet pjesë e lojës së kuponit tatimor dhe mund të fitojë një nga 500 çmimet e vëna në dispozicion nga qeveria.
Si fitohet?
“Loja promocionale e Kuponit Tatimor" do të organizohet për kuponat tatimor e lëshuar gjatë periudhës 15 nëntor – 31 dhjetor 2015. Mbledhja e zarfave me kuponat tatimorë të kësaj periudhe do bëhet nga data 1 deri më 11 janar 2016.
Të drejtën për të marrë pjesë në lojën e kuponit tatimor e ka çdo qytetar, i cili ka tërhequr gjatë periudhës së zhvillimit të lojës kupona tatimorë nga blerjet. Qytetari, që të kualifikohet si pjesëmarrës në lojë, duhet të ketë mbledhur jo më pak se 50 kupona tatimorë dhe me vlerë totale të të gjithë kuponave jo më të vogël se 5,000 lekë.
Kuponat e mbledhura brenda periudhës së zhvillimit të lojës promocionale duhet të postohen nëpërmjet shërbimit rekomande të Postës Shqiptare në adresën: “Për Lojën promocionale të kuponit tatimor; Shtypshkronja a Letrave me Vlerë (ish-topografia ushtarake), Tiranë”.
Përveç kuponave tatimorë, pjesëmarrësi duhet të vendosë në zarf një etiketë me të dhënat e tij, vetëdeklarimin e numrit të kuponave të vëna brenda në zarf dhe vlerën nominale në lekë të gjithë kuponave.
Në momentin e postimit të zarfit, pjesëmarrësi do të pajiset me një dokument ku është i pasqyruar numri i barkodit të zarfit të dërguar. Ky numër do shërbejë si numër për identifikimin e secilit pjesëmarrës gjatë hedhjes së shortit dhe tërheqjes së çmimeve fituese.
Hedhja e shortit do të bëhet më datën 15 janar 2016, do të kryhet në mënyrë elektronike dhe do të transmetohet nga televizionet kombëtare. Në përfundim të lojës do të shpallen 500 fitues për një vlerë totale prej 8 milionë lekësh.
/portali DurresLajm/