Kryeparlamentari Gramçz Ruçi ka pritur sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

Ruçi shprehu besimin e plotë se në lidershipin e Albin Kurtit dhe qeverisë së re Kosova do të përballojë me sukses sfidat e vështira.

“Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, priti sot Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi i uroi Kryeministrit Kurti suksese në detyrën e lartë dhe shprehu besimin e plotë se “Nën lidërshipin Tuaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon.

Sakrificat Tuaja si politikan konseguent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpëunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar.”

Kryeministri, z. Albin Kurti falënderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej.

“Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës,” vuri në dukje Kryeministri, z. Albin Kurti.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.