Rudina Hajdari do të vijojë të jetë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, edhe me riskun për të mos qenë më pjesë e Partisë Demokratike që e nxori deputete. Por në rast të një vendimi të PD-së për ta përjashtuar, PD i kujton Bashës se kështu ka vepruar kjo parti në dy herë edhe me babanë e saj.

“Kjo nuk është hera e parë që PD përjashton anëtarë apo deputetë të saj, ka ndodhur dhe në familjen time, ka ndodhur me tim atë dy herë. Në ato raste janë penduar për këtë lloj vendimi.Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh dhe të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh ne japim me këto vendime. Nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjal që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesave të Shqipërisë. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë time, por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë. Gjërat janë në ajër dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Do kem një marrëdhënie normale me kolegët”, u shpreh Rudina Hajdari gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.