Rudina Hajdari ka vendosur të investojë rrogën e saj për shkollën "Shejnaze Juka" në Shkodër, e cila pak ditë më parë u dogj nga militantë të PD-së në përpjekje për të shkatërruar KZAZ në prag të zgjedhjeve.

Hajdari shprehet se disa ditë pasi ndodhi kjo, ajo ka vizituar nga afër shkollën, me qëllimin për të investuar rrogën e saj për riparimin e dëmtimeve.

Megjithatë, drejtori i shkollës, sipas Hajdarit i ka deklaruar se një gjë e tillë është mbuluar nga bashkia, por është parë e arsyeshme që shuma e deklaruar e deputetes të investohet për libra artistikë.

Postimi i plotë i Hajdarit:

Me datë 05.07.2019 vizitova shkollën “Shejnaze Juka” me qëllimin për të investuar rrogën time në ambientet e shkollës pas ngjarjes së datës 18.6.2019.

Pas vizitës time u konstatua se pas investimit të bërë nga Bashkia Shkodër, nuk ishte i nevojshëm një investim tjetër i këtij lloji.

Pas bisedimeve me drejtorin e shkollës, Z. Kolë Shiroka, u pa e arsyeshme që shuma e parashikuar nga paga ime të shkojë për librat artistikë, të cilat janë të integruar në kurrikulat mësimore, të vlefshme për të tre vitet e gjimnazit, t’i shtohen bibliotekës së shkollës. Këto libra do të shërbejnë si për 500 nxënësit që janë aktualisht të rregjistruar në shkollë, ashtu edhe për brezat e tjerë që do vijnë në vitet e ardhshme. Duke qenë libra, të cilat janë të detyrueshëm të lexohen për gjatë 3 viteve shkollore, të gjithë nxënësit që nuk kanë mundësinë të pajisen me libra do të kenë akses falas në bibliotekë për të tërhequr librin që u nevojitet.

Gjithashtu, në funksion të tyre do të vihet në dispozicion dhe një kompjuter, i cili do të shërbejë dhe do të funksionojë për nxënësit për realizimin e projekteve, detyrave të kursit apo aktiviteteve të tjera të ngjashme gjatë gjithë vitit.

Ju uroj të gjithëve një të dielë të këndshme!