Kandidati i PD-së për bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka diskriminuar këtë zonë.

“600 milionë euro në vit është buxheti për investime i Shqipërisë. Në Dibër nuk keni parë as një euro, përveç bulevardit dhe ai projekt është i barabartë me 40 rrugë Majtare. Gjysma e lekëve atje nuk investohen, gjysma e lekëve atje shkojnë për të vjedhur vota”, tha Sherefedin Shehu në disa takime me banorët.

Temë kryesore e fushatës është bërë Rruga e Arbrit. Deputeti Flamur Noka, pjesëmarrës në takimet e Shehut, tha se ky projekt ka mbetur pezull, pasi Edi Rama kërkoi ryfshet edhe te kinezët.

“Pse e bllokoi Rrugën e Arbrit? E nisi PD, në të gjitha hapat e atij procesi ky burrë ka kontribut madhor. E bllokuan. Po pse e bllokuan, megjithëse ishte mbyllur përfundimisht negociata me firmën kineze? Sepse kërkojnë ryshfetin edhe firmave të huaja këta, përqindjen. Rruga ka ngelur pezull dhe nuk bëhet dhe nuk bëhet derisa të vijë Partia Demokratike në pushtet”, deklaroi Noka.