Futbolli mbetet sporti më i dashur i shqiptarëve. Ose më saktë shumicës. Por disa të tjerë mendojnë ndryshe.“Futboll, basket, volej nuk na jepnin andrenalinën që donim. Kërkuam në internet dhe gjetëm rugby”, thotë Mariglen Nezaj. 

Edhe pse është një nga sportet më të vjetër, rugby është e panjohur në vendin tonë. Por grupi i të rinjve ka arritur me mënyra të ndryshme të mbledhë deri tani mbi 20 vetë, duke krijuar edhe skuadrën e parë shqiptare “Tirona Rugby Club”. “Kemi marrë shokët, shokët e shokëve, në Facebook… Na janë afruar shumë të rinj dhe po ndërtojmë skuadrën e dytë. Të rinjtë që kanë ardhur janë shumë të talentuar”, thotë Nezaj. 

Ndryshe nga sportet e tjera, në rugby dëmtimet janë pak më të rënda për shkak të përplasjeve fizike mes lojtarëve. Por kjo shihet si pozitive nga të rinjtë shqiptarë. “Nëse ke vullnet mund t’i kalosh të gjitha. Pasioni është ai që të mban në këtë sport”, thotë një prej tyre.

Së fundmi, nismës së të rinjve shqiptarë i është bashkuar edhe anglezi Adam Vernon, i cili jeton dhe punon prej disa vitesh në vendin tonë. Falë eksperiencës si ish-lojtar gjysmë profesionist në Britani, Adam është tashmë trajneri i Tirona Rugby Club. “Ne trajnohemi në mënyrë profesionale. Gjëja më e mrekullueshme që kanë shqiptarët është vendosmëria e tyre, unë thjesht i ndihmoj. Besoj se pas 3 vjetësh në vendin tuaj do të flitet për këtë sport”, thotë Vernon. 

Edhe pse është në fillimet e saj, “Tirona Rugby Club” ka zhvilluar disa ndeshje me skuadra amatore kosovare dhe profesioniste të Malit të Zi. Qëllimi i këtyre djemve është pjesëmarrja në një botëror. “Duam të krijojmë një federatë, të ketë disa skuadra dhe të përfaqësojmë Shqipërinë në botëror”, thotë një prej tyre.