TIRANE – Ish-ministri i Energjetikës Genc Ruli reagoi sot në lidhje me akuzat e biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, të cilët përkojnë me kohën kur ai ka qenë ministër i METE-s. Ruli e ka cilësuar projektin e biznesmenit pakistanez si të paleverdisshëm për shtetin shqiptar, për shkak të kushteve të ekskluzivitetit që Ansar kërkonte të vendoste si dhe çmimeve të disfavorshme që ai pretendonte.
“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që unë drejtoja, si dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, pasi janë njohur dhe kanë shqyrtuar propozimin (dhe jo projektin) e paraqitur nga Zafar Ansar janë prononcuar në mënyrë të qartë në atë kohë, duke e konsideruar të paleverdisshëm dhe aspak në dobi të shtetit shqiptar, për shkak të kushteve të ekskluzivitetit që Ansar kërkonte të vendoste si dhe çmimeve të disfavorshme që ai pretendonte. Kjo, dhe vetëm kjo, ka qenë arsyeja e refuzimit të projektit. Ishin këta kushte që vendoste Ansar, që e bënin këtë propozim të tijin, ndër më të paleverdishmit dhe më të papranueshmit që kanë mbërritur në adresën tonë. Çdo arsye tjetër e servirur këto kohë, është thjeshtë spekulim i qëllimshëm dhe dashakeq”,- deklaroi Ruli.
Sipas ministrit Ruli, “deklaratat e biznesmenit pakistanez janë thjesht një kthim i ‘borxhit’ ndaj atyre që e bënë konsull nderi para vitit 2005”.