Mizor vërtet, i skajshëm madje, por të paktën i ndershëm. Kaq të lodhur janë një pjesë e rumunëve nga korrupsioni e pasiguria që ka pllakosur vendin, sa po të mbaheshin nesër zgjedhjet presidenciale me subjekt figurat historike, ata do të votonin as më shumë e as më pak vetë liderin e pamëshirshëm mesjetar, që frymëzoi personazhin mitik të vampirit më të famshëm të të gjitha kohërave: kontin Drakula. Nëse princi i Vllahisë, Vlad Tepes, do të ishte gjallë sot, ai do të merrte votat e 35% të të intervistuarve nga Qendra e Studimeve dhe Kërkimeve Infopolitike (CSCI).

Të pyetur se çfarë i shtyn drejt një përzgjedhjeje të tillë, ata thanë se do të preferonin më mirë të shihnin në krye të shtetit njeriun që i shkonte në hu armiqtë e tij, sesa politikanët e zhytur në afera të pafundme, të cilët nuk ngjallin më besim. “Vlad ishte një mbret i vërtetë. Ai ishte gjakatar e ka bërë plot të këqija, këtë e dimë të gjithë. Por ama, më shumë godiste të pasurit e tregtarët dhe nuk merrej me të varfërit,” – u shpreh 63-vjeçarja Steliana Notaru. Dhe tani që Rumaninë po e gërryen nga themelet korrupsioni, një udhëheqës i ashpër si ky nevojitet më shumë se çdo gjë tjetër. Tepes, i njohur për brutalitetin e tij, udhëhoqi rezistencën rumune ndaj osmanëve pas pushtimit të Transilvanisë në mesin e shekullit XV.

Damkën e sadistit e mori nga kënaqësia e pamasë që i jepte agonia e viktimave të veta, torturat e tmerrshme dhe vrasja. E megjithatë, sot e kësaj dite vazhdon të mbetet popullor dhe mjaft rumunë e identifikojnë si simbol të mospajtimit me korrupsionin, për shkak se merrte nga të kamurit e ishte i pamëshirshëm me hajdutet dhe përfituesit.