TIRANE, 17 qershor 2013 – Kryeministri Berisha priti sot në një takim ish sekretarin e mbrojtjes së SHBA-ve, Donald Rumsfeld.Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin ti shprehë edhe njëherë mikut amerikan mirënjohjen e tij më të thellë dhe të qeverisë shqiptare për të gjithë mbështetjen që ai personalisht, qeveria e SHBA-ve, populli i madh, mik amerikan i kanë dhënë Shqipërisë në vijimësi, gjatë gjithë këtyre viteve, në veçanti për mbështetjen e jashtëzakonshme për anëtarësimin në NATO.
Nga ana e tij, zoti Rumsfeld e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që rikthehej në Shqipëri, pas një periudhe të shkurtër dhe që konstaton ndryshime të jashtëzakonshme, të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Në këtë kontekst, ish Sekretari Rumsfeld i shprehu kryeministrit Berisha urimet më të ngrohta për arritjet e jashtëzakonshme e te gjithanshme që qeveria shqiptare ka shënuar në këto vite, duke i uruar gjithashtu suksese të mëtejshme në të ardhmen.
Taksa e sheshtë 10% ishte një ndër arritjet më të rëndësishme që sekretari Rumsfeld ka vlerësuar duke u shprehur se “uronte që edhe SHBA-të të merrnin shembull dhe të vendosnin edhe në Amerikë taksën e sheshtë prej 10%”.
Ish sekretari amerikan Rumsefeld, në veçanti u shpreh i impresionuar nga pjesëmarrja aktive dhe e gjerë e qytetarëve shqiptarë në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti dhe i shprehu kryeministri Berisha vlerësimet e tij më të larta për modelin e fushatës, shume aktive, në kontakt me qytetarin dhe të bazuar mbi çështje të cila prekin qytetarët, jetën e tyre te përditshme dhe të ardhmes së tyre.
“Jam jashtëzakonisht i impresionuar me dëshirën e qytetareve shqiptare për ta përshëndetur, për ta takuar, për t'i dhënë dorën kryeministrit Berisha, por edhe për pjesëmarrjen masive te tyre ne evenimentet elektorale te PD. “Presidentët amerikanë do të ëndërronin të kishin nëpër evenimentet e tyre elektorale pjesëmarrjen që ju keni në takimet tuaja elektorale” – theksoi Rumsfeld.
Në fund të takimit Zoti Rumsfeld i dhuroi kryeministrit Berisha nje kopje te librit te tij të fundit “Të njohurat dhe të panjohurat”, ndërsa kryeministri Berisha shtroi për nder të mikut amerikan dhe të stafit që e shoqëronte një drekë e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.





