• Pritet furtunë në karantinat fitosanitare kufitare në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
• Dikasteri i Edmond Panaritit shpërfill tri herë kërkesat ruse për kulturat bujqësore dhe sipërfaqet e mbjella me to
DURRËS, 14 nëntor 2014 – Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë ka sfiduar në tre raste Rusinë mbi informacionin e kërkuar për kulturat bujqësore dhe sipërfaqet e mbjella, pas dyshimeve se vendi ballkanik shërben si ri-eksportues frutash të BE-së, që janë nën embargo nga Kremlini.
Jo vetëm kaq, por Moska akuzon dikasterin e z. Edmond Panariti se certifikatat fitosanitare, të lëshuara nga organet përgjegjëse në pikat kufitare, kanë rezultuar të falsifikuara.
Siç ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih: durreslajm.com/politike/rusia-dyshon-shqip%C3%ABria-kontraband%C3%AB-frutash-nga-be-n%C3%AB-rusi), “AKU”-ja ruse ka kërkuar takim me ambasadën shqiptare në Moskë për problemin e kontrabandës së frutave nga Shqipëria në Rusi dhe po ajo ka bërë të ditur objektin e bisedimeve.
Në një komunikatë shtypi, në mbrëmje vonë, më 13 nëntor 2014, Rosselkhoznadzor-i – shërbimi federal rus për mbikëqyrjen veterinare dhe fitosanitare – (shih: ru/fsvps/news/11612.html) bën të ditur se janë zhvilluar bisedime midis tij dhe ambasadës shqiptare në Moskë me nismën e palës ruse.
Duke hapur takimin, drejtori i drejtorisë së mbikëqyrjes fitosanitare në Rosselkhoznadzor Aleksander Isajev vuri në dukje një rritje të katërfishtë gjatë këtij viti (2014) të furnizimeve me kajsi, qershi dhe pjeshkë nga Shqipëria në Rusi.
Megjithatë, Rosselkhoznadzori-t i shkakton shqetësime serioze probabiliteti i lartë i rieksportit të produkteve nga vendet e treta nëpërmjet territorit të Shqipërisë.
Ekspertiza e certifikatave fitosanitare të shërbimit shqiptar të karantinës dhe mbrojtjes së bimëve, të cilat shoqërojnë partitë e mallrave me produkt bimor, që hyjnë në Rusi, zbuloi shenja falsifikimi.
Lidhur me këtë problem, këtë vit Rosselhoznadzor-i ka kërkuar tashmë tri herë informacion nga enti kompetent shqiptar mbi certifikatat e lëshuara për shoqërimin e partive konkrete të produkteve bimore, të destinuara për tregun rus.
Përveç kësaj, Rosselkhoznadzor-i kërkuar informacion mbi kulturat bujqësore në Shqipëri dhe për sipërfaqet që zënë.
Deri tani nuk ka ardhur asgjë për secilën kërkesë.
Duke pasur parasysh këto rrethana, për të shmangur rrezikun e hyrjes në tregun rus, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, të produkteve bimore me origjinë të panjohur dhe me siguri ushqimore tejet të dyshimtë, me qëllim shmangien e aplikimit të masave mbrojtëse kufizuese, Rosselkhoznadzor-i iu drejtua palës shqiptare me lutjen për paraqitjen e informacionit të kërkuar në mënyrë të plotë javën e ardhshme, përfundon njoftimi për shtyp.
Nuk përjashtohet që të fillojnë hetimet në pikat kufitare shqiptare, pasi ka të dhëna se rieksporton e frutave e bën mafia italiane me segmente të korruptura të karantinës.
INFO
“Certifikatë fitosanitare” është një dokument zyrtar, i cili tregon se kushtet fitosanitare të bimëve, të produkteve bimore dhe të objekteve të tjera plotësojnë standardet e përcaktuara.
Importi, eksporti dhe kalimi transit në territorin e Republikës së Shqipërisë i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera bëhet në pikat doganore të hyrjes, ku funksionon inspektimi karantinor fitosanitar dhe i nënshtrohen këtij inspektimi, ku ndalohet importi, eksporti dhe kalimi transit i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, nëse ato nuk janë të pajisura me certifikatë fitosanitare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





