Teksa në Ukrainë po zhvillohen luftime, në Durrës rusët dhe ukrainasit po përballen në sportin e Taekwondo-së.
Larg familjarëve të tyre që kanë mbetur në Kiev, lojtarët e Ukrainës kanë frikë se nga çasti në çast do të marrin ndonjë lajm të keq.
Rusët nuk pranojnë të flasin para kamerave, por edhe për ta kjo është një situatë e rëndë që do donin të mbaronte menjëherë.
Trajneri i Ukrainës, Valeri Brus, është i shqetësuar për gjendjen e familjes së tij që ndodhet në Kiev, aty ku trupat ushtarake po avancojnë.
“Aty po bombarodn Rusia tani, me tanke, kam biseduar çdo ditë, shpresoj që familja ime të jetë e sigurt, shpresoj, është e pabesueshme”, u shpreh Valeri Brus.
Valeri tregon se informohet për situatën në Ukrainë përmes rrjeteve sociale. Këto ditë nuk kanë qenë aspak të lehta për ekipin e tij.
“Këto 3 ditë, kanë qënë…në këto momente vendi im është në luftë. Nuk mundem të fluturoj drejt Ukrainës, aeroporti është mbyllur, fluturimi im u anullua. Njerëzit ukrainas janë shumë të fortë, shpresoj të shkoj të luftoj dhe unë”, thotë ai.
Brus thotë që kjo është lufta e presidentit rus dhe jo e popullit rus.
“Është lufta e presidentit rus, Putin, i çmendur”, u shpreh ai.
Lojtarët ukrainas ia dolën të fitojnë ndeshjen.
“Gjithçka që duam është që lufta të mbarojë sa më shpejt dhe të mbizoterojë paqja”, thonë lojtarët./EuroNews Albania