Ekskluzive e “Dyrrah”-ut / Vështrim nga Shën Petërburgu për evropianin “Former URSS Open” (Kampionati i hapur i ish-Bashkimit Sovjetik) në Shqipëri

SHËN PETËRBURG, 4 maj 2013– Në Tiranë erdhën “fantazmat e komunizmit”, por shqiptarët i lanë tribunat bosh në eventin evropian të peshëngritjes, të cilëve, me sa duket, nuk u pëlqen “kauza lindore” e ish-bllokut sovjetik, thotë një gazetar rus nga “kryeqyteti” jozyrtar i Rusisë. 

“Përfaqësuesja ruse fitoi kampionatin evropian [të peshëngritjes], i cili me të drejtë ia vlen të quhet “Former URSS Open” (Kampionati i hapur i ish-Bashkimit Sovjetik).  Me kreshnikët (rusisht: “bogatir”, “sillaç”) rusë në Tiranën shqiptare i matën forcat vetëm rivalë nga ish-republikat motra sovjetike”, nis komentin e tij gazetari Oleg Evstifejev i së përditshmes sportive “Sport-Den-Za-Dnem” të qytetit më perëndimor të Rusisë, Shën Petërburg.

 “Fantazma e komunizmit”, kështu titullohet opinioni, që ka në qendër rezultatet e peshëngritësve rusë dhe në veçanti të atyre nga Shën Petërburgu në kampionatin evropian të peshëngritjes që u zhvillua në Tiranë më 8-15 prill 2013.

Gazetari rus përdor fjalë të vjetra me ngarkesë pejorative për “kreshnikët rusë në Tiranë”, që patën si rivalë vetëm peshëngritës “nga ish-republikat motra sovjetike”, madje shkon deri atje sa dhe veprimtarinë në Shqipëri ta quajë “Former URSS Open” (kampionati i hapur i ish-Bashkimit Sovjetik).  

Sipas Evstifejevit, kjo “jo për faktin se Evropa Perëndimore nuk e pëlqen peshëngritjen”.

Për komentuesin sportiv, Evropa “është e gatshme ta shohë [peshëngritjen], si për shembull në vitin 2011, kur kampionati botëror u zhvillua në Diznilendin (Disneyland) parisian”.

Gazetari vë në dukje se Evropa “ndjek me qejf të madh spektakle gjigantësh të llojit “Arnold Classic” nën udhëheqjen e Shvarcenegerit (Schwarzenegger), njeriut dhe Terminatorit”.

“Megjithatë evropianëve as u shkon ndërmend të merren me këtë gjë si profesionistë”, shkruan e përditshmja sportive e Shën Petërburgut.

Gazetari e etiketon dukurinë: “Tashmë për vite të tëra ngritja e peshave [lojë fjalësh: peshëngritjes në rusisht i thonë “tjazhollaja atletika” (atletikë e rëndë)] është kauzë lindore”.

Dhe rreshton faktet: “Sportistët e Rusisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik po ndeshen me kinezët me muskuj të mbufatur nga mjekësia popullore; me koreanët pupël, por të fortë dhe me çunakët 100-kilesh nga Irani; ndonjëherë përzihen polakët dhe bullgarët – gjithashtu ish-kampi socialist; si edhe turqit, që i takojnë Evropës në varësi nga rrethanat”.

Opinionisti ngre tonet e talljes me bashkatdhetarët e tij: “Të tjerët i shohin kreshnikët me habi; siç i kishte ngulur sytë i lartpërmenduri Shvarcenger në mars të këtij viti nxënëses 13 vjeçe nga periferia e Moskës Marjana Naumova, e cila në festivalin në SHBA “Arnold Classic” shtyu 105 kg”.

“Përfaqësuesja aktuale e Rusisë [në peshëngritje] ruan traditat e fitoreve, duke shmangur skandalet e dopingut, në kundërshtim me llojet e tjera të sportit, që kanë krijuar tradita të pakëndshme” thotë autori.

Gazeta ruse nënvizon faktin se “në nivel botëror është e vështirë të ndeshesh me kinezët, por tashmë në Evropë rusët po shpërblehen siç duhet [me medalje]”.

Autori i shkrimit merret hollësisht me bashkëqytetaren e tij: “‘Gruaja kreshnike’ nga Shën Petërburgu Tatiana Kashirina u tërhoq nga turneu në momentin e fundit, bash sikur të fluturonte nga treni; madje nuk mundën ta zëvendësonin dot me askënd, kështu që në kategorinë mbi 75 kg Rusia mbeti pa pjesëmarrëse; gjatë stërvitjes Kashirina pati dëmtime në njërin gju dhe dorë, kurse përpara kishte Universiadën e Kazanit”.

Dhe shpjegohet arsyeja: “Këtë turne sportistja dhe trajnerët e konsideruan si më interesante, duke vepruar drejt: në Tiranë, siç doli, peshëngritësit i prisnin tribuna bosh, kurse në Kazan ky siklet nuk do të ndodhë”.

Thjesht për arsyen se “Universiada në Rusi nuk reklamohet më keq se Olimpiada e Soçit; ndoshta, edhe më të mirë, duke marrë parasysh numrin shumë të vogël të skandaleve”.

Pasi flitet për disa rezultate, artikulli mbyllet kështu: “Videot e këtij kampionati mund shfaqen në mënyrë të sigurt në sallat e fitness-it, pasi vetë sporti i madh është i dëmshëm për shëndetin, por do të shërbejë mirë si shembull imitimi (por jo kopjimi)”.

… Megjithatë, Federata Shqiptare e Peshëngritjes (e themeluar në vitin 1949), nga entuziazmi për fjalët e mira që u thanë për organizimin e Evropianit, synon Botërorin, ndonëse sportdashësit nuk ia kanë më ngenë sportit “komunist”.

Madje, Kryeministri Sali Berisha, ish-komunist, më 15 prill 2013, i premtoi Presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes Tamash Ajan mbështetjen e qeverisë shqiptare në organizimin e një botërori peshëngritjeje në Tiranë.

Kryeministri përgëzoi Tamash Ajanin në nismën e guximshme për organizimin në një  periudhë dymujore të Evropianit në Shqipëri, pas dorëheqjes që i bënë për  shkaqe të krizës këtij aktiviteti Spanja dhe Bullgaria.

Tekstet shoqëruese të fotove:

–         Spoti i Kampionatit Evropian të Peshëngritjes, si një fantazmë…

–         Posteri në fasadën e pallatit të sportit “Asllan Rusi” Tiranë

–         “Kreshnikja” (bogatirka) ruse Marina Shainova, 5 herë kampione e Evropës

–         Ekipi rus në Durrës

–         Shvarcenegeri habitet nga “kreshnikja” ruse 13 vjeçe Marjana Naumova, që ngriti 105 kg në “Arnold Classic”.

–         Tiranë, 15 prill 2013, kryeministri shqiptar Sali Berisha i premtoi presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes Tamash Ajan mbështetjen e qeverisë në organizimin e një botërori në Tiranë 

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/